Barazime dhe fitore që ndryshojnë ekuilibrat në Kategorinë e Parë
- Korca Boom
- 17 hours ago
- 1 min read
Rezultatet e javës së 18-të në Kategorinë e Parë kanë rihapur garën për objektiva të ndryshëm në renditjen e kampionatit, duke sjellë zhvillime të rëndësishme si në krye ashtu edhe në pjesën e mesme dhe të poshtme të tabelës.
Ndalesa e Skënderbeut, që u ndal në barazim në shtëpi përballë Luftëtarit, së bashku me fitoren e Laçit ndaj Kukësit, ka ngushtuar ndjeshëm diferencën mes dy skuadrave kryesuese.
Aktualisht, diferenca është vetëm 5 pikë, çka mban ende hapur, të paktën teorikisht, garën për vendin e parë dhe titullin kampion.
Nga ana tjetër, Pogradeci nuk arriti të përfitonte maksimalisht nga ky raund, duke u ndalur në barazim përballë Besës. Ky rezultat ka bërë që vendi i tretë të mbetet i distancuar nga dy pozicionet e para, duke e vështirësuar luftën për ngjitje direkte në elitën e futbollit shqiptar.
Në vendin e katërt është rishfaqur Kastrioti, i cili arriti një fitore të rëndësishme në derbin ndaj Ilirisë. Krutanët vazhdojnë të mbajnë gjallë shpresat për zonën “play-off”, ndërsa për Ilirinë situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.
Në të njëjtën linjë negative vijon edhe Apolonia, me të dyja skuadrat që po rrëshqasin në renditje dhe tashmë rrezikojnë seriozisht të përfshihen në luftën për mbijetesë.
Javët në vijim pritet të jenë vendimtare, si për skuadrat që synojnë ngjitjen, ashtu edhe për ato që kërkojnë të shmangin zonën e ftohtë të tabelës.
Kampionati i Kategorisë së Parë po hyn në një fazë delikate, ku çdo pikë merr peshë të dyfishtë dhe çdo ndalesë mund të rezultojë vendimtare për objektivat sezonale.
"KORCA BOOM"



















