Bashkimi Europian nis zbatimin e sistemit të ri biometrik për hyrje-daljet, si do ndryshojë mënyra e kalimit të kufijve në zonën Shengen
- Korca Boom
- 4 days ago
- 2 min read
Bashkimi Europian nis këtë të dielë zbatimin e Sistemit të Ri të Hyrje-Daljeve (Entry-Exit System – EES), i cili do të regjistrojë gjurmët e gishtave dhe të dhëna biometrike për të gjithë udhëtarët nga vendet jashtë BE-së që hyjnë në zonën Shengen.
Ky sistem fillimisht do të zbatohet në pika të përzgjedhura kufitare dhe do të zgjerohet gradualisht deri më 10 prill 2026, duke përfshirë të gjitha aeroportet, portet dhe pikat tokësore, kur do të zëvendësojë sistemin aktual të vulosjes së pasaportave.
Një nga ndryshimet kryesore që sjell EES është se udhëtarët do të duhet të ndalojnë vetëm herën e parë të hyrjes në zonën Shengen për të regjistruar të dhënat biometrike, duke përfshirë fotografi dhe gjurmë gishtash. Të dhënat do të ruhen në sistem për një periudhë të caktuar, dhe nuk do të jetë e nevojshme të regjistrohen sërish në hyrjet e mëvonshme.
Kjo procedurë mund të sjellë vonesa, veçanërisht në kufijtë tokësorë, ku shtetasit shqiptarë dhe udhëtarët e rajonit shpesh udhëtojnë me makinë, pasi do të duhet të dalin nga automjeti për t’u nënshtruar kontrolleve.
Në përgatitje për këtë ndryshim, shtetet anëtare po pajisen me teknologji të reja dhe po shtojnë stafin në pikat kufitare. Për shembull, Gjermania nis zbatimin në aeroportin e Düsseldorfit këtë të dielë, ndërsa Holanda do të fillojë në porte dhe në aeroportin Schiphol nga 3 nëntori.
Në Mbretërinë e Bashkuar, për sezonin turistik 2026, janë marrë masa për menaxhimin e fluksit duke krijuar zona pritjeje në Kent për automjetet që udhëtojnë drejt Eurotunnel-it dhe portit të Doverit. Operatorët si Eurotunnel dhe Eurostar kanë investuar miliona paund në pajisje vetë-shërbimi, ndërsa udhëtarët komercialë do të jenë të parët që do t’i nënshtrohen sistemit të ri.
Sistemi EES do të zbatohet në 29 vende të zonës Shengen, duke përfshirë edhe Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin. Ai nuk do të aplikohet për personat me leje qëndrimi afatgjatë ose viza të vlefshme të BE-së.
“KORÇA BOOM”
