top of page

16 vite pa Llazi Sërbon/ Ja historia e aktorit të madh korçar që la pas një shënim misterioz

1 hour ago
2 min read

16 vite pa Llazi Serbon, aktorin e njohur korçar që la gjurmë në skenën dhe kinematografinë shqiptare.


Sot shënohen 16 vjet nga ndarja nga jeta e aktorit dhe regjisorit të njohur korçar, Llazi Serbo, një prej emrave të spikatur të teatrit “A. Z. Çajupi” dhe artit skenik shqiptar.


Llazi Serbo lindi në Korçë më 9 mars 1945. Pas përfundimit të arsimit bazë në qytetin e lindjes, ai ndoqi studimet në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e dramës, ku u dallua për talentin dhe përkushtimin e tij.


Pas diplomimit, Serbo u emërua pranë trupës profesioniste të teatrit të Korçës, ku për rreth katër dekada ushtroi profesionin e aktorit dhe regjisorit.


Ai debutoi në skenën e teatrit “A. Z. Çajupi” me dramën “Njolla të Murrme” të Minush Jeros, në vitin 1969. Vepra u kritikua rëndë nga regjimi komunist dhe kjo periudhë ndikoi edhe në karrierën e aktorit.


Serbo interpretoi më pas edhe në vepra të tjera, ndër të cilat “Të pamposhturit” të Minush Jeros dhe “Mosha e bardhë” të Dritëro Agollit, të cilat gjithashtu u përballën me kritika dhe ndalime nga regjimi i kohës. Për pasojë, aktorit iu desh të qëndronte larg skenës për disa vite.


Rikthimi i tij në skenë do të shënonte një tjetër etapë të rëndësishme në karrierën artistike. Ndër interpretimet e tij më të spikatura përmenden “Shembja e idhujve” (1977), “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978), “I treti” (1978), “Gracka” (1983), “Kush vdes në këmbë” (1984), “Dasma e shtyrë” (1984), “Tre njerëz me guna” (1985), “Asgjë nuk harrohet” (1985), si edhe role të tjera në teatër dhe kinematografi.


Për kontributin e tij në art, Llazi Serbo u vlerësua në vitin 1991 me titullin “Artist i Merituar”, ndërsa në vitin 2009 u shpall “Qytetar Nderi i Korçës”.


Llazi Serbo u nda nga jeta më 12 shtator 2010, në moshën 65-vjeçare.


Sot, 16 vite më pas, emri i tij vijon të kujtohet në Korçë dhe në komunitetin artistik shqiptar, përmes roleve dhe kontributit të tij shumëvjeçar në skenën e teatrit dhe kinematografisë.

“KORÇA BOOM”


bottom of page