Beni Cepa/ Legjenda që e meriton titullin “Mjeshtër Sporti”
- Korca Boom
- 12 hours ago
- 4 min read
Nëse ka një “mjeshtër të madh”, nëse ka një legjendë, nëse ka një ikonë të sportit të atletikës, nëse ka një njeri që ka lindur dhe do vdesë me sportin, ai është vetëm Beni Cepa.
Dhimitri Jorgos siç njihet ndryshe, është pa frikë Legjendë e madhe e atletikës dhe e krejt sportit në Shqipëri.
Themi këtë pasi edhe për ata që nuk e njohin, Dhimitri Jorgos është më shumë se një sportist, teksa në janar mbush plot 62 vjeç, por që edhe sot vijon sportin e atletikës dhe hudhjes së diskut, duke hyrë në historinë e sportit shqiptar, por edhe botëror.
Është vërtet një Ikonë që duhet të përulemi përpara tij, pasi, qëkur ka lindur, Zoti e ka sjellë për të qenë atleti më i suksesshëm në histori.
Je i madh Beni Cepa! Je Legjendë dhe Ikonë, Beni Cepa! Je më
shumë se i madh!
Nëse do të flasim për Benin, padiskutim që duhen vite të tëra, ndërkohë që më poshtë po sjellim të përmbledhur karrierën e tij sportive.
Një Legjendë e tillë si Beni Cepa, nuk ka për të vdekur kurrë...
Cepa, “Mjeshtri i madh” i diskut

Dhimitraq Cepa (Dhimitri Jorgos) i lindur më 18.01.1964
Sportin e ka nisur në 1978 dhe ka dalë në vendin e parë në hudhjen e gjyles me shkollat. Atje, trajneri Feti Metko zbuloi talentin e tij të madh dhe e solli në klubin “Skënderbeu” në hudhjen e gjyles.
Gjatë dy viteve stërvitje u shfaq talenti i tij në flakjen e diskut, ku në vitin 1981-1982 vendos rekord kombëtar për paratërinj në disk, me disk 1.5 kg plot 48 metra. Gjatë kësaj kohe stërvitjeje në moshën 19-vjeçare vendos rekord kombëtar për të rinj, me disk 2 kg me rezultatin 48 metra, të mbajtur nga i madhi Isa Tare, njëkohësisht kampion kombëtar për të rritur. Që në këtë moment fillon dinastia e titujve kampionë për të rritur, ku në spartakiadën kombëtare të 1984-ës, vetëm 20 vjeç, shpallet kampion në flakjen e diskut duke e hedhur mbi 50 metra dhe i 3 në shtytjen e gjyles. Të gjitha këto rezultate janë meritë e trajnerit Feti Metko.
Në vitin 1985 shkon ushtar në klubin “Partizani” dhe për dy vjet, duke pritur rezultate dhe thyerjen e rekordit kombëtar për të rritur, mendoi që të stërvitej me trajnerin Ramazan Driza të klubit “Partizani”. Gjatë këtyre viteve shumë tituj kampionë në disk dhe nënkampion në gjyle, por fatkeqësisht për negzlizhencën e Benit nuk u thye rekordi kombëtar deri në vititn 1987, kur përfundoi dhe detyrimi ushtarak. Gjatë kësaj kohe vlen të theksohet mbështetja e madhe e shefit të klubit “Partizani” Mikel Janku dhe trajnerit Njazi Lleshi.

Në vitin 1989-1990, pas një stërvitjeje të mirë dhe dinjitoze, thyhen rekordin kombëtar të mbajtur nga mjeshtri Isa Tare nga 52.70 në 53.24, i thyhen në gjashtë hudhje plot tre herë, në kupën “Kristo Isak” në qytetin e Korçës.
Në vitin 1991 i drejtohet Selanikut, ku me mbështetjen e legjendës Pavlina Evro dhe Alma Thano lidh një kontratë me Iraklisin dhe që në garën e parë pas një jave stërvitjeje në garat e kampionatit grek, zë vendin e 3-të me rezultatin 53.90. Pas një trajtimi dhe përgatitjeje të madhe me trajnerin e kombëtares greke, Kostas Spanjidhis, pretendonte të arrinte rezultatin 58 metra, norma e Olimpiadës së Barcelonës në atë kohë dhe ishte shumë pranë rezultatit.

Në Korcë kthehet në vitin 1993 ku bashkohet me Skënderbeun duke garuar për Skënderbeun dhe ekipin kombëtar. Në vitin 1994, në kampionatin ballkanik në Bullgari vendos rezultatin më të mirë në disk ku deri më sot nuk e ka arritur askush, deri në kufirin e 53 metrave. Gjatë kësaj kohe në të gjitha garat, Kupa Republike dhe kampionate kombëtare, mbetet kampion i padiskutueshëm dhe nënkampion në shytjen e gjyles, deri në vitin 2004.
Pas një shkëputjeje në vitin 2013 angazhohet në gjyle dhe në disk, ku për çudi në moshën 49-vjeçare shpallet kampion kombëtar me diks 2 kg me rezultatin 45 metra. Vazhdojnë akoma rezultatet edhe sot, madje në moshën 55-vjeçare del sërish kampion me 43 metra. Në vitin 2022 merr pjesë në kampionatin ballkanik për veteranë në master 55 dhe shpallet kampion Ballkani. Po këtë vit shpallet sërish kampion Ballkani në Selanik të Greqisë, rezultate të cilat i ëndërronte prej më shumë se 30 vjetësh.

Cepa arriti në karrierën e tij më shumë se 50 tituj kampionë në flakjen e diskut dhe në gjyle.
Beni në moshën 16-17-vjeçare ka vendosur rekord kombëtar me disk 1.5 kg, 48 metra.
Në moshën 19 vjeç, rekord kombëtar me disk 2 kg për të rinj, 48 metra.
Rekord kombëtar për të rritur me disk 2 kg në kufirin e 53 metrave.
Rekord kombëtar për moshën 50 vjeç me disk 2 kg, 43 metra.
Rekord kombëtar për master 55 vjeç me disk 1.5 kg në kampionatin ballkanik 46.20. Deri në këto momente të gjitha këto janë rekorde të pathyera.
Të gjitha këto rezultate, Beni ia kushton trajnerit të madh Feti Metko dhe të madhit Zot, vullnetit dhe punës së tij të madhe.

Titulli “Mjeshtër Sporti”
Dhe sot në moshën 62-vjeçare Dhimitër Cepa (Dhimitri Jorgos) padiskutim që e pret titullin “Mjeshtër Sporti” nga FSHA-ja. Në fundin e karrierës së tij të gjatë sportive Beni e meriton me plot gojë këtë titull të lartë, sepse mbi të gjitha mbetet dhe është Legjendë.
“KORÇA BOOM”