top of page

Bizneset do të paguajnë më pak tatim? Qeveria miraton ligjin e ri të sponsorizimeve!

6 hours ago
2 min read

Qeveria ka miratuar sot projektligjin e ri për donacionet dhe sponsorizimet, një nismë që synon të ndryshojë mënyrën e financimit të sportit, artit dhe kulturës në Shqipëri.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili nga stadiumi “Air Albania” e cilësoi këtë vendim si një kapitull të ri për zhvillimin e këtyre sektorëve.


Sipas ministrit, projektligji parashikon krijimin e një mekanizmi të ri që synon të nxisë bizneset private të investojnë në sport, kulturë dhe art, përmes lehtësive fiskale.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me mundësinë që bizneset që sponsorizojnë këta sektorë të zbresin faturën e sponsorizimit direkt deri në 30% të tatimit mbi fitimin, sipas kushteve dhe dispozitave të reja ligjore.


Skema e propozuar parashikon një fond deri në 2 miliardë lekë të reja në vit, ose rreth 22 milionë euro, që do të vihet në dispozicion të financimit të aktiviteteve sportive, artistike dhe kulturore, përtej programeve të zakonshme të buxhetit të shtetit.


Ministri Gonxhja theksoi se synimi është krijimi i një partneriteti më të fortë mes shtetit dhe biznesit, duke u dhënë mundësi më të mëdha sportistëve, artistëve dhe të rinjve të talentuar për të zhvilluar aktivitetin e tyre.


Projektligji parashikon gjithashtu ngritjen e një regjistri elektronik kombëtar të sponsorizimeve, si dhe mekanizma auditimi dhe kontrolli për të garantuar transparencën në përdorimin e fondeve.


Sipas Gonxhes, kjo reformë pritet të ndikojë në organizimin e eventeve, bashkëfinancimin e aktiviteteve dhe rritjen e prezencës së Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Miratimi në Këshillin e Ministrave shënon hapin e parë të nismës, e cila synon të krijojë një model të ri financimi për sportin, artin dhe kulturën shqiptare.

“KORÇA BOOM”


bottom of page