top of page

Bllokuan bulevardet dhe akset kryesore, procedohen 20 persona

2 days ago
2 min read

Janë proceduar këtë të hënë nga policia 20 pjesëmarrës, të cilët gjatë protestës së ditës së djeshme në Tiranë kanë bllokuar lëvizjen e automjeteve në akset kryesore dhe qytetarëve.


Sipas raportimeve të policisë, 20 pjesëmarrësit akuzohen për bllokimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mjeteve, si dhe për prishjen e qetësisë publike.


Të dielën, protesta hyri në ditën e 106-të, ku protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe ndryshimin e kabinetit qeveritar.


Njoftimi i plotë i policisë:


Bllokuan lëvizjen në akset kryesore të kryeqytetit dhe prishën qetësinë publike, procedohen penalisht 20 pjesëmarrës në një tubim të zhvilluar më datë 13.09.2026.


Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera me qëllim dokumentimin e veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë këtij tubimi dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të autorëve të tyre, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 20 pjesëmarrës, konkretisht për shtetasit:


Sh. B., 33 vjeç; V. D., 29 vjeç; B. K., 36 vjeç; A. P., 49 vjeç; I. M., 28 vjeç; A. J., 39 vjeç; A. K., 46 vjeç; G. P., 37 vjeç; A. Ll., 28 vjeçe; I. M., 24 vjeçe; E. K., 27 vjeç; A. N., 26 vjeçe; S. E., 32 vjeç; A. Ll., 20 vjeçe; M. Y., 19 vjeç; A. B., 59 vjeçe; D. G., 50 vjeç; B. M., 34 vjeçe; R. Sh., 22 vjeç dhe A. K., 29 vjeçe.


Këta shtetas, dyshohet se nëpërmjet organizimit dhe pjesëmarrjes në tubim, kanë bllokuar lëvizjen e qytetarëve dhe të mjeteve, si dhe kanë prishur qetësinë publike, në akset kryesore të kryeqytetit, konkretisht bulevardet “Dëshmorët e Kombit”, “Bajram Curri” dhe “Gjergj Fishta”, në sheshin “Wilson” dhe në rrugët “Sami Frashëri” dhe “Abdyl Frashëri”.


Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

“KORÇA BOOM”


bottom of page