top of page

Botërori 2026 me risi teknologjike në arbitrim dhe transmetim

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 1 day ago
  • 2 min read

Inteligjenca Artificiale po intensifikon ndjeshëm ndikimin e saj në futboll, duke sjellë risi të rëndësishme teknologjike që pritet të ndryshojnë mënyrën e organizimit dhe përjetimit të ndeshjeve. Për herë të parë, do të krijohen avatarë digjitalë për të ndihmuar arbitrat, një teknologji që parashikohet të përdoret në Kupën e Botës 2026, e cila do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.


Kjo risi është fryt i partneritetit mes FIFA-s dhe kompanisë Lenovo dhe përfshin një sërë zgjidhjesh inovative që do të ndikojnë si në arbitrim, ashtu edhe në transmetimin televiziv të ndeshjeve. Risia më e rëndësishme do të jetë përfshirja e avatarëve digjitalë 3D në teknologjinë e arbitrimit, veçanërisht gjatë përsëritjeve të episodeve të pozicionit jashtë loje, duke ofruar pamje më të qarta dhe më të kuptueshme për publikun.


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është shprehur se Botërori 2026 do të jetë spektakli më i madh sportiv i të gjitha kohërave. Sipas tij, rreth 7 milionë tifozë do të ndjekin nga afër 104 ndeshje, dhjetëra milionë të tjerë do të udhëtojnë drejt Amerikës së Veriut, ndërsa rreth 6 miliardë njerëz në mbarë botën do ta ndjekin turneun nga shtëpia.


Infantino theksoi se FIFA dhe Lenovo po përshtasin plotësisht teknologjitë digjitale dhe Inteligjencën Artificiale, përmes projektit Football AI, për të mbështetur skuadrat dhe zyrtarët e ndeshjeve, duke ofruar njëkohësisht një eksperiencë të përmirësuar për tifozët. Sipas tij, kjo teknologji do të demokratizojë aksesin te të dhënat, duke ofruar setin më të plotë të analizës futbollistike për ekipet dhe, në të ardhmen, edhe për tifozët.


Gjenerata e re e sistemit Referee View do të ofrojë imazhe të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, duke e bërë përvojën vizive më realiste, sikur shikuesi të ndodhet në qendër të fushës. Ndërkohë, avatarët 3D të aktivizuar nga IA do të garantojnë identifikimin dhe gjurmimin e saktë të lojtarëve, duke përfaqësuar një hap të madh përpara në teknologjinë e pozicionit jashtë loje gjysmëautonomik, me vendime më të shpejta dhe më të sakta.

"KORCA BOOM"


bottom of page