Buxheti 2027 ndez revoltën, transportuesit kundërshtojnë rritjen e TVSH-së; Kuvendi në rend dite edhe ndryshimet në ligjin për tubimet
Transporti publik në të gjithë vendin do të nisë sot aktivitetin në orën 08:00, duke ndryshuar orarin e zakonshëm të shërbimit, i cili fillon në orën 05:30 të mëngjesit.
Vendimi është marrë nga shoqatat e transportit në prag të seancës plenare të Kuvendit, ku pritet të shqyrtohen dhe votohen Buxheti i vitit 2027 dhe Paketa Fiskale.
Ndërkohë, ndryshimi i orarit ka krijuar paqartësi për qytetarët, një pjesë e të cilëve kanë dalë që në orët e para të mëngjesit dhe kanë pritur në stacione, pa pasur dijeni për njoftimin e operatorëve.
Në qendër të kundërshtimeve të transportuesve është edhe propozimi për rritjen e TVSH-së nga 20% në 21%. Sipas operatorëve, kjo masë do të rriste kostot e aktivitetit dhe do të sillte pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët, përmes shtrenjtimit të mundshëm të biletave të autobusëve.
Shoqatat e transportit kërkojnë tërheqjen e këtij propozimi, duke paralajmëruar se barra financiare e ndryshimeve fiskale rrezikon të përfundojë mbi xhepat e qytetarëve, të cilët përballen çdo ditë me kosto në rritje të jetesës.
Vendimi për nisjen e shërbimit në orën 08:00 vjen në një moment të rëndësishëm politik, ndërsa Kuvendi pritet të votojë paketën e re fiskale dhe buxhetin për vitin e ardhshëm.
Sipas rendit të ditës, të miratuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet në legjislacionin për tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat. Projektbuxheti dhe ndryshimet fiskale do të votohen nen për nen dhe në tërësi.
Në fokus të seancës do të jenë edhe dy aktet normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor. Njëri prej tyre parashikon ndryshime në ligjin për tubimet, ndërsa tjetri përcakton shpërblimin e dëmeve civile të shkaktuara ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.
Pjesë e agjendës parlamentare janë gjithashtu projektligjet për rregullimin e tregjeve të kriptoaseteve, donacionet dhe sponsorizimet, kontabilitetin në sektorin publik, si dhe mbikëqyrjen shtesë të institucioneve financiare. Ligjvënësit do të diskutojnë edhe ngritjen e Liceut Francez të Korçës si institucion publik të arsimit të mesëm të lartë, ndryshimet në ligjin për kontrollin e punimeve të ndërtimit dhe pranimin e ndryshimeve të memorandumit të Parisit për kontrollin shtetëror portual. Në kuadër të fazës së dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, Kuvendi pritet të votojë edhe një shtesë në përbërjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të ngarkuar me këtë proces.
“KORÇA BOOM”
















