Lëvizje e papritur në Korçë, krijohet poli i tretë garues përballë partive tradicionale
Një lëvizje e re qytetare po prezantohet në Korçë në prag të zgjedhjeve të ardhshme vendore. “RRUGA – Aleanca e Madhe për Korçën” synon të krijojë një alternativë të re për drejtimin e bashkisë, duke u mbështetur te pjesëmarrja qytetare dhe një model ndryshe i qeverisjes lokale.
Në deklaratën e saj të parë publike, kjo nismë thekson se Korça ka nevojë për një ndryshim që shkon përtej zëvendësimit të një kryebashkiaku me një tjetër. Sipas saj, qytetit i duhet një mënyrë e re funksionimi, ku vendimmarrja të mbështetet te kompetenca, transparenca, përgjegjësia dhe bashkëpunimi me komunitetin.
“Ne nuk kërkojmë thjesht një mandat për të qeverisur. Ne propozojmë një marrëveshje të gjerë qytetare”, thuhet në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale.
Në mesin e emrave të njohur që lidhen me këtë lëvizje janë Ardit Konomi, Leonard Olli dhe Klajdi Pllaha. Ndërkohë, burime bëjnë me dije se Ardit Konomi pritet të jetë kandidati i pavarur i “RRUGA”-s në zgjedhjet e ardhshme të muajit maj. Deri më tani, megjithatë, kandidatura e tij nuk është zyrtarizuar.
Nisma e re e përshkruan veten si një forcë qytetare që kërkon të hapë një rrugë të ndryshme nga modelet e deritanishme të drejtimit të pushtetit vendor.
“Ndryshimi nuk vjen duke ndjekur të njëjtat shtigje që na kanë sjellë deri këtu. Ai vjen duke hapur një rrugë të re, një rrugë të udhëhequr nga mendimi i lirë, pjesëmarrja aktive dhe përgjegjësia komunitare”, thuhet në mesazhin e saj.
Një tjetër element që theksohet nga organizatorët është hapja e kësaj lëvizjeje ndaj qytetarëve, pavarësisht bindjeve apo profesioneve. Në këtë nismë ftohen të bëhen pjesë mësues, mjekë, inxhinierë, sipërmarrës, fermerë, artistë, studentë, punëtorë, profesionistë të lirë, organizata qytetare dhe përfaqësues të diasporës.
“RRUGA” njofton gjithashtu se në ditët dhe javët në vijim do të bëjë publike vizionin, programin dhe planin konkret për Korçën.
Krijimi i kësaj aleance hap një kapitull të ri në zhvillimet politike lokale, ndërsa mbetet për t'u parë se si do të organizohet kjo lëvizje dhe nëse kandidatura e Ardit Konomit do të konfirmohet zyrtarisht.
“E ardhmja që kërkojmë nuk vjen vetë. Ajo duhet ndërtuar. Fillojmë RRUGËN!”, përfundon deklarata e aleancës qytetare.
“KORÇA BOOM”
















