Kandidatët e PS-së për kryetar bashkie në Korçë/ Zbardhen emrat e përfolur...
Partia Socialiste në Korçë ka disa emra të përfolur për të qenë kandidatë në garën për kryetar bashkie. CNA zbulon emrat që kanë shprehur interes për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Një nga emrat e përfolur është Kletjon Kita, nënkryetari aktual i Bashkisë së Korçës. Kita ka shprehur dëshirën për të qenë kandidat, ndërsa prej kohësh është i angazhuar në strukturat e Partisë Socialiste.
Një tjetër emër që përmendet në këtë garë është Petrika Tollkuçi, kryetari aktual i Këshillit të Qarkut Korçë. Tollkuçi ka mbajtur një sërë funksionesh drejtuese në strukturat e PS-së dhe në shtator të vitit 2025 u zgjodh në krye të Këshillit të Qarkut Korçë.
Emri tjetër që zbulon CNA është Xheni Eski, aktiviste e së majtës, e cila është përfshirë në drejtimin e projekteve në Qarkun e Korçës. Në vitin 2024, Eski mori drejtimin e fondacionit humanitar “Dorcas Albania”, që mbështet familjet në nevojë.
Ndërkohë, një emër tjetër që është përfolur si kandidat i mundshëm është ai i deputetit Ilir Pendavinji. Por burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije për CNA se Pendavinji ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e garës për kryetar bashkie.
Për momentin, emrat e përmendur mbeten kandidatura të mundshme, ndërsa pritet që Partia Socialiste të përcaktojë brenda janarit se cili prej tyre do të përfaqësojë forcën politike në garën për drejtimin e Bashkisë së Korçës. /CNA
“KORÇA BOOM”
















