Dënohet avokati i njohur, ja çfarë ndodhi pas 3 vitesh gjyq!
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka dënuar avokatin Idajet Beqiri për veprat penale të shpifjes dhe fyerjes ndaj gazetarit Ferdinand Dervishi. Për secilën prej veprave, Beqiri është gjobitur me nga 100 mijë lekë të rinj, duke e çuar në 200 mijë lekë shumën totale të gjobave.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë gazetari Ferdinand Dervishi, i cili ka njoftuar se vendimi i gjykatës vjen pas një procesi gjyqësor që zgjati rreth tre vite.
Çështja lidhet me disa deklarata të bëra nga Idajet Beqiri gjatë një interviste në “Dritare TV”, më 6 maj 2023. Sipas padisë së gazetarit, gjatë kësaj interviste avokati e kishte akuzuar atë se paguhej nga politikanë, mbronte krimin dhe kriminelët, si dhe kishte ngritur pretendime për përfshirjen e tij në ngjarjet që lidhen me familjen Haklaj në Tropojë.
Ferdinand Dervishi i kishte cilësuar këto deklarata si të pavërteta dhe denigruese për figurën e tij profesionale, duke iu drejtuar gjykatës me padi për shpifje dhe fyerje publike.
Sipas gazetarit, gjatë shqyrtimit të çështjes u ndërrua edhe një prej gjyqtarëve, ndërsa vendimi përfundimtar u dha nga gjyqtari Altin Abdiu.
Një tjetër detaj i veçuar nga Dervishi lidhet me qëndrimin e prokurorit në seancën e fundit, i cili, sipas tij, kishte kërkuar pafajësinë e avokatit. Megjithatë, gjykata vendosi ndryshe, duke e dënuar Idajet Beqirin për të dyja veprat penale.
Vendimi shënon përfundimin e një procesi gjyqësor që nisi pas deklaratave të bëra në vitin 2023 dhe që u mbyll pas rreth tre vitesh përballje në dyert e gjykatës.
“KORÇA BOOM”
















