Mesazh i prerë për SPAK dhe BKH, ambasadori amerikan zbulon ku fshihen provat për pastrimin e parave
Pastrimi i parave që burojnë nga trafiku i kokainës ishte një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga ambasadori i SHBA-së, Eric Ëendt, gjatë takimit me kreun e SPAK, Klodian Braho, dhe drejtuesin e BKH-së, Joni Keta.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori amerikan u ndal te rëndësia e hetimit dhe ndëshkimit të personave që pastrojnë paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale. Ai theksoi se një pjesë e provave të nevojshme për hetimet ndodhen në serverat e kompanive amerikane dhe se autoritetet shqiptare kanë mundësi t'i sigurojnë ato përmes procedurave përkatëse.
Në këtë drejtim, Ëendt nënvizoi se provat digjitale, si postat elektronike, llogaritë në rrjetet sociale dhe të dhënat e ruajtura në platformat cloud, mund të jenë vendimtare për ecurinë e një hetimi. Ai paralajmëroi se këto të dhëna mund të zhduken brenda pak ditësh, ndaj kërkesat për ruajtjen e tyre duhet të bëhen në kohë.
Ambasadori iu drejtua veçmas hetuesve, prokurorëve të posaçëm dhe gjyqtarëve, duke shpjeguar rolin që secili prej tyre ka në administrimin dhe vlerësimin e provave digjitale.
Pjesë nga fjala e ambasadorit amerikan:
“Disa nga provat që ju nevojiten ndodhen në serverë në Shtetet e Bashkuara: postë elektronike, llogari të rrjeteve sociale dhe hapësira ruajtjeje në re (cloud) që mbahen nga kompani amerikane.
Ju mund t’i merrni ato prova. Por, ju duhet të njihni rregullat: çfarë duhet të ruani, çfarë duhet të kërkoni, si ta bëni kërkesën dhe si të veproni shpejt.
Të dhënat mund të zhduken brenda disa ditësh. Një kërkesë për ruajtje e dërguar sot mund të shpëtojë një çështje që përndryshe do të rrëzohej vitin e ardhshëm.”
Më tej, ambasadori iu drejtua drejtpërdrejt tre grupeve të përfshira në procesin e drejtësisë.
“Hetuesve: Ju jeni hallka e parë e zinxhirit. Mënyra se si i identifikoni, ruani dhe sekuestroni provat digjitale vendos nëse ato do të mbijetojnë në gjykatë.
Prokurorëve: Ju i ktheni të dhënat në një rrëfim që gjykata mund ta ndjekë. Ju lidhni një adresë protokolli të internetit (IP), një portofol kriptovalutash dhe një mesazh elektronik me një person real.
Gjyqtarëve: Ne e respektojmë plotësisht pavarësinë tuaj. Asgjë në këtë program nuk ju kërkon ta shihni ndonjë çështje në një mënyrë ose në një tjetër. Qëllimi ynë është i thjeshtë: t’ju ndihmojmë t’i testoni me rigorozitet provat digjitale, të gjykoni besueshmërinë e tyre dhe t’i peshoni me vetëbesim.”
Në këtë takim u theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit me ekspertët amerikanë për sigurimin dhe administrimin e provave elektronike, të cilat mund të luajnë rol të rëndësishëm në hetimet për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave.
“KORÇA BOOM”
















