Detaje nga vrasja e shqiptares në Itali, si i mori jetën ish- i dashuri, zbardhen bisedat me ChatGPT
- 3 hours ago
- 1 min read
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e të miturës shqiptare në Itali, ku ish-i dashuri i saj rezulton të jetë autori i krimit.
Ngjarja tragjike ka ndodhur më 25 tetor 2024 në Piacenza, ku 13-vjeçarja Aurora Tila humbi jetën pasi u shty nga ballkoni.
Sipas mediave italiane, bisedat që vajza kishte zhvilluar me inteligjencën artificiale ChatGPT janë përdorur si prova të rëndësishme në gjyq. Ajo kishte kërkuar këshilla për marrëdhënien e saj, duke shprehur dyshime nëse duhej t’i jepte fund dhe si të dallonte një lidhje të shëndetshme nga një toksike.
Gjykata e të Miturve në Bolonjë dënoi me 17 vite burg ish-të dashurin e saj, i cili në atë kohë ishte 15 vjeç. Hetimet zbuluan se marrëdhënia mes tyre ishte e mbushur me presion, kontroll dhe sjellje kërcënuese nga ana e tij, duke e bërë vajzën të ndihej e frikësuar për sigurinë e saj.
Sipas vendimit, i riu kishte shfaqur xhelozi ekstreme dhe posesivitet, madje duke përdorur fraza kërcënuese. Edhe pse paramendimi nuk u vërtetua plotësisht, ai i kishte treguar një shoku një ditë para ngjarjes se kishte ndërmend ta vriste.
Mesazhet që i kishte dërguar viktimës për takimin e fundit u konsideruan manipuluese, duke e bindur atë të takohej me të, ndoshta me shpresën për të qetësuar situatën. Por në fakt, sipas gjykatës, ai kishte planifikuar ta përdorte atë takim për të kryer krimin.
Fillimisht, i akuzuari tentoi ta paraqiste ngjarjen si aksident apo vetëvrasje, por provat dhe dëshmitë e dëshmitarëve e rrëzuan këtë version, duke e cilësuar atë si autor të vrasjes. Gjykata gjithashtu theksoi mungesën e pendesës nga ana e tij./ Boldnews
“KORÇA BOOM”
















