Dhuna nga pjesëtarët e Ilirisë, drejtori Ardi Gjançi tregon gjithçka: Erdhi e gjithë policia e Fushë Krujës, lojtarët i denoncuan me emra. I pari u sulmua Nasr
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 2 min read
Drejtori i klubit Skënderbeu, Ardi Gjançi, ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur sot në Fushë Krujë, ku korçarët nuk pranuan të luanin ndeshjen e Kategorisë së Parë, pasi ishin dhunuar nga futbollistët dhe stafi i klubit të Ilirisë. Ai ka zbuluar se si nisën përplasjet në ambientet e pankinës, duke shpjeguar se janë bërë denoncimet përkatëse.
“Po flisja me drejtorin e Policisë për çështjen e sigurisë në tribuna kur dëgjohet zhurma nga zona pranë pankinës. Vrapoj të shoh çfarë ka ndodhur. Konstatoj futbollistët Saleh Nasr, Salim Abubakar, Mario Gjata dhe Altin Ukiçi, të cilët ishin dhunuar nga stafi dhe futbollistët e ekipit të Fushë Krujës. Është një rast i paprecedent, të cilin nuk e di… Një situatë e tensionuar ka ndodhur edhe në tribunën e stadiumit “Skënderbeu” në ndeshjen e parë në Korçë, por as që mund ta imagjinonim që mund të arrinte deri këtu. Nuk ka pasur incident nga ne atje, ka pasur tension nga ekipi kundërshtar në tribunë, i cili detyroi jo vetëm presidentin Takaj, por edhe kryetarin e bashkisë të Korçës të iknin nga stadiumi.
E paprecedent, unë kam gjashtë vjet në botën e futbollit dhe nuk e kam hasur asgjëkundi.
Futbollistët dhe stafi i Ilirisë ishin agresorët? Po, po. Biles futbollistët kanë dhënë edhe deklarata në polici. Ka ardhur e gjithë policia e Fushë-Krujës, ka ardhur edhe vetë shefi i komisariatit dhe kane marrë deklaratat e çdo futbollisti me përpikëri. Mund t’i drejtoheni organeve përkatëse për të marrë informacionet më të detajuara se çfarë është shkruar në ato deklarata.
Aty të them të drejtën nuk është se arrita të dalloj dikë konkretisht. Por futbollistët kishin pretendimet e tyre dhe i kanë dhënë me emra konkret në deklaratat e tyre.
Policia ishte prezente, edhe delegati i ndeshjes ishte prezent. Por në një moment të caktuar ata e humbën vigjilencën pasi po merreshin me tifozët që të mos kishte një ndërhyrje në shkallët e stadiumit dhe ndodhi.
Një pjesë e futbollistëve kanë qenë në dhomat e zhveshjes, një pjesë tjetër ishin te pankina dhe atje është sulmuar i pari Saleh Nasr. Pastaj precipitoi në dhunë fizike dhe verbale.
Gjoka? Tekniku u ndodh atje dhe u fut në mbështetje për të shuar situatën, në mbështetje të futbollistëve.
Ne u ndodhëm përballë faktit që futbollistë si puna e Paulo Estrela, që vjen me 50 ndeshje nga Supeliga e Portugalisë, nuk mund të pranojnë që të futen në fushë. Futbollistët ishin shumë të traumatizuar, ne ngritëm duart lart, ne këtë futboll nuk e luajmë dot. E para është shëndeti, pastaj futbolli, futbolli në fund të fundit është një lojë dhe nuk mund të vihet para shëndetit dhe dëmtimeve fizike të futbollistëve. Për anët e tjera pastaj do të merret klubi hap pas hapi për të deklaruar dhe qartësuar çdo lloj gjëje se çfarë ndodhi aty.
Saleh Nasr kishte probleme edhe mbrapa kokës, edhe te buza, Abubakar ka një shenjë në fytyrë. Nga ana psikologjike ata janë të gjithë të rrënuar. Por edhe shenja në fytyrë kanë dhe janë pasqyruar edhe në media nga stafi i Skënderbeut.
Nuk e prisnim, jemi shumë të shokuar nga ky incident”, tha Gjançi për RTSH rreth ngjarjes.
“KORÇA BOOM”



















