Drafti i amnistisë zbardh kriteret: Dënime të falura dhe ulje burgimi
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Draftligji për amnistinë synon të përfshijë të gjithë personat që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale me dënim deri në tre vjet burg për burrat dhe deri në katër vjet për gratë. Në këtë kategori përfshihen edhe format alternative të dënimit, si gjoba apo shërbimi në komunitet.
Për personat që aktualisht janë duke vuajtur dënimin, drafti parashikon përjashtimin nga vuajtja e mëtejshme e burgut në rast se u kanë mbetur deri në tre vjet dënim burrave dhe deri në katër vjet grave. Amnistia do të shtrihet gjithashtu te të moshuarit, duke përfshirë burrat mbi 60 vjeç dhe gratë mbi 50 vjeç, si dhe personat që kanë qenë të mitur në momentin e kryerjes së veprës penale.
Megjithatë, ligji përcakton kufizime të qarta për përfituesit. Nuk do të përfitojnë nga amnistia personat që i janë shmangur drejtësisë, si të arratisurit apo ata që janë fshehur, si dhe të dënuarit për krime të rënda. Në këtë kategori përfshihen krimet kundër jetës dhe njerëzimit, krimet seksuale, terrorizmi, veprat që cenojnë rendin kushtetues dhe autoritetin e shtetit, krimet që dëmtojnë mjedisin, ekonominë dhe pasurinë, si edhe veprat penale që lidhen me zgjedhjet dhe demokracinë.
Po ashtu, amnistia nuk do të zbatohet për personat e dënuar me burgim të përjetshëm dhe për ata që gjykohen ose janë nën hetim nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Drafti parashikon edhe lehtësime të pjesshme për ata që nuk përfitojnë amnisti të plotë. Për burrat, dënimi mund të ulet me një vit, ndërsa për gratë dhe të miturit ulja e dënimit mund të arrijë deri në një vit e gjysmë. Për çështjet që janë ende në fazë hetimi ose gjykimi, ligji parashikon mundësinë e pezullimit të ndjekjes penale, gjithmonë duke respektuar përjashtimet për krimet e rënda dhe rastet e shmangies nga drejtësia.
Qëllimi i këtij ligji është rritja e eficiencës së sistemit të drejtësisë, ofrimi i mundësive për rehabilitim dhe riintegrim social të të dënuarve, si dhe respektimi i parimeve të humanizmit dhe interesit publik, duke pasur në vëmendje edhe mbrojtjen e interesit më të lartë të fëmijëve.
Sipas draftit, ligji pritet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare
"KORCA BOOM"



















