Sigurimi detyrues që garanton zhdëmtim të menjëhershëm për qytetarët pas fatkeqësive natyrore”
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 2 min read
Në një intervistë për emisionin “Në Radio” me Andri Xhahun në Radio Tirana, eksperti i ekonomisë, Fatos Çoçoli, ka analizuar rëndësinë e projektligjit për sigurimin e banesave ndaj fatkeqësive natyrore, duke e cilësuar si një rekomandim të hershëm të Bankës Botërore që tani po merr zbatim në Shqipëri.
“Si masë është e domosdoshme, sepse aktualisht ndërhyrja mbetet vetëm e shtetit. Sado i gatshëm të jetë shteti, ndonjëherë mund të vonojë. Kur ke një kompani shtetërore që siguron menjëherë fondin për zhdëmtimin, kjo garanton reagim të shpejtë për qytetarët,” tha Çoçoli.
Eksperti theksoi se Shqipëria është një vend me aktivitet të lartë sizmik dhe rreziku i tërmeteve shkatërrimtare, si ai i 26 nëntorit 2019, është gjithmonë i pranishëm. Sipas tij, ky projektligj pritet të prekë rreth 660 mijë familje.
“Mbrojtja më efektive është duke siguruar popullsinë. Nuk është gjë e re; vende si Turqia dhe Rumania e kanë zgjidhur këtë sfidë përmes sigurimit të detyrueshëm,” shprehet Çoçoli.
Diskutimet paraprake sugjerojnë një tarifë vjetore prej 2500–3000 lekësh të reja, ndërsa eksperti thekson rëndësinë e diferencimit sipas madhësisë dhe tipologjisë së banesave, duke mos e bërë të padrejtë për qytetarët që jetojnë në zona me rrezik më të ulët.
“Një apartament 300 m² nuk mund të paguajë të njëjtën shumë si një banesë modeste 60 m². Edhe banesat e dyta do të jenë subjekt i pagesës së primit,” shpjegoi ai.
Çoçoli shtoi se ligji duhet të jetë sa më i thjeshtë dhe korrekt, në mënyrë që qytetarët të mos ndihen të trajtuar ndryshe, dhe theksoi rëndësinë e krijimit të një strukture shtetërore për menaxhimin e sigurimit, që rrit besueshmërinë dhe zvogëlon rrezikun e abuzimeve nga kompanitë private.
Për procedurat teknike, eksperti sugjeron që vjelja e fondeve të bëhet një herë në vit, për shembull përmes faturës së energjisë ose ujit, ndërsa për vlerësimin e dëmeve të përfshihen kompanitë private, të cilat sipas tij janë më profesionale dhe larg ndikimeve të mundshme korruptive.
Duke iu përgjigjur skeptikëve që e shohin këtë si një barrë financiare, Çoçoli argumenton: “Ky është një simbol i fortë, jo një taksë e tepërt. Tërmeti i fundit i kushtoi buxhetit të shtetit 1.1 miliard euro. Duke dhënë rreth 2500 lekë në vit, ne mbrojmë paratë e të ardhmes së fëmijëve tanë.”
Eksperti përfundon duke thënë se morali i ligjit është i qartë: kur ndodh fatkeqësia tjetër, qytetari të marrë zhdëmtimin e menjëhershëm nga fondi i sigurimit, pa pasur nevojë të presë ndërhyrjen e shtetit.
"KORCA BOOM"



















