Dy vite pa Llazi Pulën, Mjeshtrin e Sportit dhe mësonjësin kaq shumë të respektuar
- Korca Boom
- Dec 5
- 1 min read
Në datën 4 dhjetor të vitit 2023 do të ndahej nga jeta Llazi Pula gjimnasti i cili ka bërë historinë e gjimnastikës korçare dhe asaj shqiptare. Korçari i njohur do ta fillonte sportin e gjimnastikës që kur ishte i vogël, nxënës në shkollën “7 Nëntori” dhe më pas do të bëhej pjesë e ekipit të Skënderbeut dhe më vonë i “Shkëndijës” së Tiranës dhe ekipit tonë kombëtar.
Llazi Pula për aq sa ishte në sport ka qenë nga më të mirët e gjimnastikës, për ta lënë më pas cilësinë e këtij sporti tek i vëllai Kristaqi dhe vëllezërit binjakë Valter dhe Adriatik Meta.
Vëllezërit Llazi dhe Kristaq Pula si dhe vëllezërit Meta kanë sjellë në Korçë në vite të ndryshme kupa e medalje të shumta.
Llazi Pula për nga vështirësia e ekzekutimit për vite të tëra ka qenë mjeshtër i këtij sporti.
Përtej sportit Llazi Pula ka qenë dhe një mësues i njohur i edukimit fizik. Me humbjen e Llazi Pulës dy vite më parë, gjimnastika korçare dhe ajo shqiptare ka humbur mjeshtrin, familja njeriun tyre të dashur, shokët mikun e tyre.
Korça ka humbur një pjesë të madhe të historisë së gjimnastikës!
Sot e kujtojmë me shumë mall Llazi Pulën, Mjeshtrin që do të mbetet përherë Mjeshtër dhe një mësonjës ideal dhe që i dha shumë qytetit juglindor.
Kutjimi për Llazin do të jetë në pafundësi…
“KORÇA BOOM”




















