top of page

Nuk rri dot pa Skënderbeun: rrëfimi prekës i Agim Muços, tifozit që sfidon moshën

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 1 min read

Agim Muço është një nga tifozët më të zjarrtë dhe më besnikë të Skënderbeut. Edhe pse sot ndodhet në një moshë të tretë, kjo nuk e pengon aspak që ta ndjekë skuadrën kudo që ajo luan. Dashuria e tij për fanellën bardhekuqe është më e fortë se vitet dhe lodhja.


Skënderbeun e ka ndjekur që në moshën 10-vjeçare, në kohët kur fanellën e mbanin emra të njohur si Koço Dinella, Xhambazo, Demo, Tolja, Renato Rapo dhe shumë të tjerë. Ato vite kanë lënë gjurmë të thella në jetën e tij, duke e kthyer Skënderbeun jo thjesht në një skuadër, por në një pjesë të pandarë të shpirtit.


Ka qenë aq i lidhur me ekipin, sa kur Skënderbeu humbiste, nuk i hahej bukë, rrinte pa gjumë dhe madje mungonte edhe në shkollë, duke vënë shpesh në merak prindërit. Histori ka pafund për të treguar, por dashuria mbetet e njëjtë edhe sot.


Edhe pas humbjes së fundit ndaj Laçit, Agim Muço është i mërzitur, por jo i dorëzuar. Të mërkurën do të udhëtojë drejt Elbasanit për të ndjekur ndeshjen ndaj Ilirisë, sepse për të Skënderbeu nuk braktiset kurrë.


“Do ta ndjek Skënderbeun sa të kem frymë,” thotë ai. “Nuk rri dot pa të.”

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page