E dini çfarë shkroi një profesor amerikan për Shqipërinë pas Luftës së Parë Botërore?
- Korca Boom
- 15 hours ago
- 2 min read
Charles Downer Hazen (1868–1941), historian dhe studiues i njohur amerikan, profesor në Columbia University dhe njohës i thellë i historisë evropiane, i dha një “vulë” të rëndësishme akademike amerikane librit të Konstandin A. Çekrezit “Shqipëria, e shkuara dhe e ardhmja”, botuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 1919.
Në parathënien e librit, Hazen thekson rëndësinë që çështja shqiptare kishte marrë pas Luftës së Parë Botërore, veçanërisht në kuadër të Konferencës së Paqes në Paris. Sipas tij, Shqipëria nuk mund të anashkalohej, pasi ishte e lidhur drejtpërdrejt me fatin e Adriatikut dhe të gjithë Ballkanit. Përtej interesave të Fuqive të Mëdha dhe projekteve politike të Greqisë, Jugosllavisë apo Italisë, Shqipëria kishte interesa thelbësore të sajat, të cilat duhej të kuptoheshin dhe të vlerësoheshin me drejtësi.
Hazen nënvizon se të drejtat e Shqipërisë nuk mund të përcaktoheshin nga fqinjët apo rivalët e saj, por vetëm përmes zërit të vetë shqiptarëve, një parim që ai e konsideron thelbësor për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ballkan.
Sipas tij, vlera kryesore e librit të Çekrezit qëndron në faktin se Shqipëria paraqitet për herë të parë përmes këndvështrimit të një shqiptari. Për shumë vite, çështja shqiptare ishte trajtuar kryesisht nga burime të jashtme – fqinjë, rivalë dhe Fuqi të Mëdha – të cilat, për interesat e tyre, krijuan shtetin shqiptar në vitin 1912 dhe ia besuan drejtimin një princi të huaj. Asnjë popull, thekson Hazen, nuk mund të vendosë për aspiratat e një populli tjetër, ndaj interpretimi i drejtpërdrejtë i Shqipërisë nga vetë shqiptarët përbën vlerën thelbësore të këtij libri.
Si libri i parë për Shqipërinë i shkruar nga një shqiptar në gjuhën angleze, vepra e Çekrezit hedh dritë mbi çështje pak të njohura për publikun anglishtfolës. Shqiptarët paraqitën për herë të parë pretendimet e tyre kombëtare në Kongresin e Berlinit më 1878, ku u refuzuan ashpër, me kancelarin Bismark që deklaroi se “nuk ekziston një kombësi shqiptare”. Historia dëshmoi të kundërtën, pasi nacionalizmi shqiptar ishte po aq real sa ai i popujve të tjerë ballkanikë. Shqipëria ishte thjesht shteti i fundit që doli nga pesë shekuj sundim osman.
Shpallja e pavarësisë dhe përfshirja ose jo e të gjitha trojeve shqiptare brenda kufijve të shtetit të ri ishin çështje që do të vendoseshin në Paris. Hazen paralajmëron se çdo vendim i padrejtë nuk do t’i shërbente paqes në Ballkan dhe nuk do të ishte i qëndrueshëm në kohë. Historia, sipas tij, ka treguar se padrejtësia dhe mungesa e arsyes kanë shkatërruar edhe perandoritë më të fuqishme.
Konstandin A. Çekrezi (1892–1959), i diplomuar në Universitetin Harvard, u njoh me profesor Charles Downer Hazen në ambientet e Columbia University, ku të dy ushtronin veprimtarinë e tyre akademike. Kjo njohje u shndërrua shpejt në një miqësi dhe mbështetje të fortë akademike, jo vetëm për veprat e Çekrezit, por edhe për çështjen shqiptare në tërësi. Falë këtij bashkëpunimi, Shqipëria dhe problematika e saj u kthyen në objekt interesi dhe diskutimi në qarqet intelektuale dhe akademike të Shteteve të Bashkuara.
"KORCA BOOM"
"KORCA BOOM"



















