“E dinim që nuk do të ishte e lehtë”, Nevil Dede pas fitores ndaj Skënderbeut: Kërkoj ndjesë, s’kemi pse...
- 22 minutes ago
- 2 min read
Egnatia ka fituar në shtëpi përballë Skënderbeut, në ndeshjen e vlefshme për javën e tretë të “Abissnet Superiore”. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Arena Egnatia”, përfundoi 2-1. Pas këtij dueli ka folur trajneri fitues, Nevil Dede.
“Ka një “por”? Gjithmonë ka një të tillë. I rëndësishëm është reagimi i skuadrës, pikët dhe fitorja. Sot pritej që të ishte një ndeshje e luftuar edhe nga Skënderbeu, duke marrë parasysh që kanë bërë mirë me Vllazninë dhe Dinamon. Në disa momente shfaqëm nervozizëm. Ndoshta erdhi nga mungesa e përqendrimit tek të dy penalltitë. Pastaj nervozizmi u bë prezent tek ne. Fola në pushim me djemtë, por në disa momente e ekzagjerojmë pak.
Si trajner kërkoj ndjesë, nuk kemi pse të bëjmë ashtu. Nuk është fundi i botës edhe kur nuk jemi në avantazh. Shkuam në Evropë dhe po fitojmë në kampionat. Kampionati ka rrugëtimin e tij, maratonë e gjatë. Në një moment do të ketë kartonë, pezullime. Shpresoj që gjendja e Bitrit dhe Fernandos të jetë mirë. Për mua Bitri dhe Fernando janë të rëndësishëm si çdo lojtar tjetër.
Gabime në pasime? Të gjitha bëhen bashkë, nuk dua të bëhem përsëritës i vetes sime. 5 ndeshje në 15 ditë, nuk janë pak. Brenda vetes e shihja si ndeshje të vështirë. Cilësitë e Bismark janë të tilla, që e dija që do na vendoste në vështirësi. Por përderisa fitojmë, them që mbrojtësit u përgjigjëm mirë. Shumë pasime gabim, si te rastet e penalltive. Nuk dua t’ia vë vetëm lodhjes, por duam apo s’duam ne, për një ndeshje duhet të luftosh.
Loukili na dha shumë oksigjen. Ky ishte plani im që ai të na jepte thellësi dhe frymëmarrje të madhe. Çifit me Smajlin ishte karta fituese e jona. Mbrojtja lart? Konsumimi i energjive, mendova që më mirë të ishte me bllok të mesëm. Mënyra se si luan Skënderbeu, unë e komplimentoj. Kam zgjedhur atë mënyrë, me cilësitë që kanë lojtarët. Kur ata ndërtonin, niseshin direkt. Besoj që ishte për sot zgjedhja e duhur. Nuk dua të dal në konkluzion. Dua të shoh ekipin tim të çlodhur dhe pastaj të shohim se si mund të sillemi.
Albanese, gjithmonë më i miri? Më vjen mirë për Albanesen. Prekja që kam bërë unë te Albanese, është një lojtar i lirë, ku më shumë luan në linjat e qendrës. Edhe pse sot në disa situata luajti në të majtën dhe na dha zgjedhje. Unë mendoj që Albanese është një 10 i mirëfilltë në cilësitë dhe kualitetin që ai ka. Kemi pasur mungesa, në mesfushë dhe mbrojtje pasi ka qenë konfigurim jo stabël. Gjithsesi unë mendoj që kualiteti i Albanese me mbështetjen e të tjerëve, shpresoj dhe gjej rastin që të them që Kryeziu mos të ketë shqetësim të madh. Por Albanese po tregon kapacitetin që ai ka. Nuk po mburrem dhe të them që Albanese po bën mirë prej meje”, tha Dede.
“KORÇA BOOM”
















