“E lajnë në mes të dhomës”/ Drama e familjes Xhemollari në Podgorie të Maliqit, që jeton mes varfërisë dhe frikës nga shembja e banesës
- 1 day ago
- 1 min read
Në një banesë të amortizuar në fshatin Podgorie të Maliqit, familja Xhemollari po jeton çdo ditë mes varfërisë, dhimbjes dhe frikës. Muret e çara, tavani që rrëzohet dita-ditës dhe mungesa e kushteve minimale për jetesë janë kthyer në realitetin e trishtë të kësaj familjeje.
Gjithçka u bë edhe më e vështirë dy vite më parë, kur kryefamiljari mbeti i paralizuar pas një sëmundjeje të rëndë. Që prej asaj kohe, familja po lufton çdo ditë për mbijetesë, ndërsa pamundësia ekonomike ua ka bërë jetën edhe më të rëndë.
Mes lotësh, zonja e shtëpisë, Anxhela, tregon se bashkëshortin e paralizuar detyrohen ta lajnë në mes të dhomës, pasi banesa nuk ka një banjo funksionale. Ujin e ngrohin në mënyra primitive, ndërsa çdo ditë jetojnë me frikën se tavani mund të shembet mbi kokat e tyre.
“Vetëm një banjo dhe një shtëpi që të mos na zërë brenda”, është apeli i thjeshtë i familjes, që kërkon vetëm pak dinjitet për të jetuar.
Edhe fqinjët janë munduar t’i ndihmojnë me aq sa kanë mundësi. Ermanti, një prej tyre, tregon se herë pas here u kanë siguruar ushqime bazike, por gjendja e familjes mbetet shumë e rëndë.
Familja Xhemollari ka nevojë për ndihmën e kujtdo që mund të kontribuojë, qoftë edhe minimalisht, për të riparuar banesën dhe për të ndërtuar një banjo funksionale për kryefamiljarin e paralizuar./Nga Shkëlzen Henkoja
Kush dëshiron të ndihmojë, mund të kontaktojë në numrin:
069 345 6711
"KORÇA BOOM"
















