E pabesueshme, futbollisti hyn për të shuar konfliktin, del viktimë e tij
- 15 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë, ku futbollisti i klubit Kars Spor, Kubilay Kaan Kundakci, humbi jetën pas një sulmi me armë zjarri në zonën Ümraniye të Stambollit.
Sipas mediave turke, ngjarja ndodhi natën e 19 marsit, kur 21-vjeçari ndodhej në një automjet jashtë një studioje muzikore, ku po qëndronte një reper i njohur. Kundakci kishte ndërmarrë një përpjekje për të pajtuar reperin me ish-të dashurën e tij, një këngëtare, pasi ishte mik i afërt me të dy.
Raportohet se futbollisti dhe personat që e shoqëronin u zunë në pritë nga disa individë që mbërritën me makina luksoze. Fillimisht ata tërhoqën vëmendjen duke luajtur me dritat e mjeteve, përpara se një prej tyre të hapte zjarr në drejtim të automjetit.
Sipas dëshmitarëve okularë, Kundakci u godit në gjoks. Ai u transportua menjëherë në spital, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.
Policia turke ka arrestuar reperin në lidhje me ngjarjen, ndërsa një tjetër i dyshuar është shpallur në kërkim dhe vijon të ndiqet nga autoritetet.
Ngjarja ka ngritur shumë pikëpyetje mbi rrethanat dhe motivet e sulmit, ndërsa hetimet janë në vijim për të zbardhur plotësisht këtë krim të rëndë që ka tronditur opinionin publik në Turqi.
"KORCA BOOM"
















