E Premtja e Madhe/ Procesioni i epitafit në Korçë, qindra besimtarë marrin pjesë
- Korca Boom
- Apr 18
- 1 min read
Pasditen e së Premtes së Madhe, qyteti i Korçës u mbush me atmosferë solemne dhe shpirtërore, ndërsa besimtarë të shumtë ortodoksë, por edhe vizitorë nga qytete të ndryshme të vendit, u mblodhën për të marrë pjesë në ceremoninë tradicionale të kalimit nën epitaf, një ndër ritet më të rëndësishme të Javës së Madhe.
Në sheshin qendror, përpara Katedrales madhështore “Ngjallja e Krishtit”, u bashkuan epitafet e gjashtë kishave të qytetit. Ky moment krijoi një pamje të rrallë dhe një ndjesi të veçantë bashkimi, ndërsa qindra njerëz u mblodhën për të ndjekur me respekt dhe përkushtim procesionin. Në një atmosferë solemniteti, të shoqëruar nga tingujt melankolikë të këngëve kishtare dhe lutjeve të përbashkëta, ceremonia reflektoi thellësisht përkujtimin e vuajtjeve dhe sakrificës së Krishtit.
Procesioni i epitafit, që përfaqëson varrin simbolik të Krishtit, u nis nga katedralja dhe vijoi përgjatë bulevardeve kryesore të qytetit, duke ndalur në disa pika simbolike për t’u lutur.
Këtë vit, udhëheqja e procesionit iu besua At Ilia Kotnanit, pasi Hirësia e Tij, Imzot Joani, i cili më parë ka qenë figura kyçe në këtë ceremoni, u zgjodh së fundmi Kryepeshkop i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë./ CNA
“KORÇA BOOM”
