top of page

E RRALLË/ Nëna 59-vjeçare dhe babai 70-vjeçar bëhen prindër të një vajze

Oct 8
1 min read

Një lindje e pazakontë është regjistruar në provincën e Salernos, në Itali, ku një grua 59-vjeçare ka sjellë në jetë vajzën e saj, ndërsa babai i foshnjës është 70 vjeç. Vogëlushja, e pagëzuar Francesca Pia, ka lindur në gjendje të mirë shëndetësore dhe po rritet normalisht.


Lindja u realizua në një strukturë shëndetësore të zonës së Salernos, ndërsa shtatzënia dhe lindja u ndoqën nga ekipi i gjinekologut Mario Polichetti, i specializuar në trajtimet e riprodhimit të asistuar.


Francesca Pia erdhi në jetë me një peshë prej 2.4 kilogramësh, ndërsa aktualisht peshon rreth 4.5 kilogramë. Sipas mjekut, gjendja e saj shëndetësore është shumë e mirë.


“Jemi përballë një rasti vërtet të jashtëzakonshëm, sepse arritja e një konceptimi në moshën 59-vjeçare përbën një ngjarje jashtëzakonisht të rrallë. Për ne është një kënaqësi e madhe që kemi ndjekur këtë rrugëtim deri në lindjen e një vajze që sot është mirë dhe po rritet normalisht”, deklaroi Polichetti.


Gjinekologu nënvizoi se, përtej moshës së prindërve, ajo që ka më shumë rëndësi është gjendja e foshnjës.


“Francesca Pia është në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe kjo është natyrisht ajo që na jep kënaqësinë më të madhe”, u shpreh ai.


Sipas mjekut, një shtatzëni e tillë kërkon ndjekje të kujdesshme në çdo fazë, duke qenë se bëhet fjalë për një situatë të pazakontë.


“Kur përballesh me rrugëtime kaq komplekse, çdo hap kërkon vëmendje dhe përgjegjësi të madhe”, tha Polichetti.


Mosha e çiftit e bën këtë lindje veçanërisht të rrallë, ndërsa fakti që vajza ka lindur shëndetshëm dhe po zhvillohet normalisht është cilësuar nga ekipi mjekësor si përfundimi më pozitiv i këtij procesi./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page