Egnatia shmang emrat e mëdhenj, shorti i buzëqesh kampionëve
- 1 hour ago
- 1 min read
Egnatia ka mësuar kundërshtarin e saj në turin e parë kualifikues të UEFA Champions League. Shorti i hedhur këtë të martë ka vendosur përballë kampionëve të Shqipërisë skuadrën moldave FC Petrocub.
Për rrogozhinasit, ky konsiderohet një short mjaft i favorshëm, pasi Petrocub ishte një nga kundërshtarët më të përballueshëm në letër mes skuadrave të mundshme që mund të dilnin nga goglat.
Edhe pse ekipi moldav sezonin e kaluar arriti të marrë pjesë në fazën e grupeve të UEFA Conference League, diferencat mes dy skuadrave nuk duken të mëdha. Petrocub numëron dy tituj kampionë dhe dy Kupa të Moldavisë, por Egnatia do të synojë të shfrytëzojë maksimalisht shanset e saj për të kaluar më tej.
Një tjetër tregues që favorizon kampionët shqiptarë është edhe vlera e tregut të dy skuadrave. Sipas portalit “Transfermarkt”, Petrocub vlerësohet me rreth 4.76 milionë euro, ndërsa Egnatia ka një vlerë totale prej 6.23 milionë eurosh, duke qenë teorikisht më e fortë në aspektin ekonomik dhe të potencialit të skuadrës.
Tashmë vëmendja e Egnatias do të përqendrohet te përgatitjet për këtë përballje të rëndësishme europiane, me objektivin e qartë për të kaluar turin e parë dhe për të vijuar rrugëtimin në kompeticionin më prestigjioz për klube në kontinent.
Shorti ka buzëqeshur kampionëve shqiptarë, por verdikti final do të jepet në fushën e blertë, aty ku Egnatia do të kërkojë të hedhë një tjetër hap të rëndësishëm në historinë e saj europiane.
“KORÇA BOOM”
















