Emigrimi shqiptar: 70% largohen për punë, 16% për familje
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Popullsia e Shqipërisë brenda vendit është thuajse e barabartë me numrin e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. Raporti i fundit i INSTAT tregon se diaspora shqiptare ka arritur në 2.2 milionë qytetarë, të shpërndarë në të gjithë botën, me pjesën më të madhe në kontinentin evropian.
Në kushtet kur sipërmarrja shqiptare përballet me mungesë të fuqisë punëtore, raporti tregon se rreth 1.7 milionë emigrantë janë në moshë pune, ku vetëm grupmosha 25-44 vjeç përbën 880 mijë individë. Konkretisht, 18% e shqiptarëve që jetojnë jashtë janë deri në 14 vjeç, 77% janë të moshës 15-64 vjeç dhe vetëm 5% janë mbi 65 vjeç.
“Kjo tregon një diasporë me profil të ri, ekonomikisht aktive dhe me potencial të lartë kontributi në tregjet e punës të vendeve pritëse”, thuhet në raport.
Vendet ku ka një numër të lartë shtetasish shqiptarë janë: Italia, Greqia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Arsyeja kryesore e emigrimit ka qenë bashkimi familjar, por vitet e fundit dominon largimi për arsye punësimi.
“Migrantët largohen për një sërë arsyesh, por kryesisht në kërkim të mundësive më të mira ekonomike (rreth 70%). Motive të tjera të rëndësishme përfshijnë arsyet familjare (16%) dhe arsimin (6%)”, vijon raporti.
Po ashtu, analiza vlerëson se shqiptarët që punojnë jashtë fitojnë deri 2.5 herë më shumë se në Shqipëri. Në vend, një emigrant vlerësohet të ketë marrë 665 dollarë, ndërsa jashtë paguhet mesatarisht 1,789 dollarë.
Përveç sfidave demografike me të cilat po përballet Shqipëria – si rënia e lindjeve dhe mungesa e punonjësve – diaspora mbetet një burim i dytë kryesor i të ardhurave për familjet shqiptare.
"KORCA BOOM"



















