EMRI/ U kap në vendin ku nisi zjarri, arrestohet 54-vjeçari pasi dyshohet se shkrumboi 400 pemë
- 6 hours ago
- 1 min read
Një 54-vjeçar është arrestuar në Mallakastër pasi u kap pranë një vatre zjarri ku dyshohet se kishte ndezur flakët, duke shkaktuar djegien e rreth 400 pemëve të ullirit.
Ngjarja u regjistrua në zonën e quajtur “Qafa e Vidhit”, ku pas njoftimit për zjarrin shkuan menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe për kryerjen e veprimeve hetimore.
Gjatë ndërhyrjes, efektivët konstatuan pranë vatrës së zjarrit shtetasin Ardian Xhafo, 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarrin që më pas u përhap në zonën përreth.
Si pasojë e flakëve u dëmtuan rreth 400 pemë ulliri, duke shkaktuar dëme materiale në pronën bujqësore.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër arrestuan në flagrancë 54-vjeçarin për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për vijimin e hetimeve dhe veprimeve të mëtejshme.
Policia u ka bërë apel qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve, pasi përhapja e pakontrolluar e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për pronën, mjedisin dhe jetën e njerëzve.
“KORÇA BOOM”













