Finale zemrash në Budapest, PSG shpallet kampione pas penalltive
Finalja e madhe e Champions League dhuroi emocione të jashtëzakonshme deri në sekondat e fundit, me PSG-në që arriti të triumfojë ndaj Arsenalit vetëm pas goditjeve të penalltive, duke fituar trofeun më prestigjioz europian për të dytin vit radhazi.
Ndeshja e zhvilluar në Budapest nisi në mënyrën më të mirë për anglezët. Arsenali kaloi në avantazh që në minutën e 6-të me Kai Havertz, i cili shfrytëzoi një rast të mirë për të mposhtur portierin kundërshtar dhe për t’i dhënë epërsinë skuadrës londineze.
PSG u përpoq gjatë gjithë ndeshjes të rikthehej në lojë dhe gjeti golin e barazimit në minutën e 65-të. Ousmane Dembele u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke rikthyer baraspeshën dhe duke rihapur plotësisht finalen.
Pas golit të barazimit, francezët ushtruan presion të vazhdueshëm në kërkim të golit të fitores, por portieri Raya dhe mbrojtja e Arsenalit arritën të rezistonin deri në fund të kohës së rregullt.
As shtesat nuk prodhuan fitues, duke bërë që trofeu të vendosej nga ruleta e penalltive. Në serinë vendimtare, PSG u tregua më e saktë, teksa gaboi vetëm Mendes. Nga ana tjetër, për Arsenalin rezultuan fatale gabimet e Eze dhe Gabriel, të cilët nuk arritën të dërgonin topin në rrjetë.
Me fitoren 4-3 pas penalltive, PSG ngre për herë të dytë radhazi trofeun e Champions League, ndërsa Arsenali sheh t’i shuhet edhe një herë ëndrra për të fituar trofeun e parë europian në historinë e klubit.
Rezultati:
PSG 1-1 Arsenal (4-3 pas penalltive)
Shënues: Dembele 65' (penallti) / Havertz 6'
“KORÇA BOOM”
















