Fjalët që nuk plaken kurrë, 11 shprehje të mençura të Kolonjës
- 59 minutes ago
- 2 min read
Kolonjarët njihen jo vetëm për humorin dhe karakterin e veçantë, por edhe për mençurinë e shprehur në fjalët e urta që janë përcjellë brez pas brezi. Shumë prej këtyre shprehjeve pasqyrojnë mënyrën e jetesës, përvojën dhe filozofinë e njerëzve të kësaj treve.
“Shit kalin e shkollo djalin”, është një shprehje që vë arsimin mbi pasurinë materiale. Ndërsa “Frika nuk e lë lepurin të vërë dhjamë” tregon se frika dhe pasiguria shpesh e pengojnë njeriun të përparojë.
Kolonjarët thonë edhe: “Pyet detin, sa lumenj derdhen në të”, një shprehje që lidhet me madhështinë dhe përvojën e jetës. “Trimin vraje, po mos e shaj” përcjell respektin për guximin dhe karakterin e njeriut.
Një tjetër shprehje tipike është “Edhe pula jote në kopshtin e botës të duket e majmë”, që nënkupton se njeriu shpesh e sheh atë që ka vetë si më të mirë se gjithçka tjetër. “Prifti më përpara bekon mjekrën e tij” përdoret për ata që mendojnë fillimisht për interesin e tyre.
“Gunë e huaj s’të mban ngrohtë” është një tjetër shprehje me domethënie të fortë, që tregon se mbështetja më e sigurt është ajo që vjen nga vetja.
Nga Leskoviku vjen shprehja “Zër zanatin dhe vëre në strehë”, që i kushton rëndësi zanatit dhe punës. Ndërsa shprehja “Në ta mban, ja ku është Kolonja!” lidhet me sfidën, qëndrueshmërinë dhe karakterin e fortë të banorëve të kësaj treve.
Po nga Leskoviku thuhet: “Më mirë pesë sot se dhjetë mot”, një këshillë për të vlerësuar atë që ke në dorë sot, në vend të një premtimi të pasigurt për të ardhmen.
Dhe në fund, “Ka hesap udha e Kolonjës”, një shprehje që nënkupton se çdo gjë ka një kosto, një mundim dhe një llogari që duhet mbajtur parasysh.
Këto shprehje janë një pjesë e vogël e pasurisë së madhe të folklorit kolonjar dhe dëshmojnë mençurinë popullore të një treve që e ka përcjellë përvojën e saj përmes fjalës.
“KORÇA BOOM”
















