Flori Mumajesi, ende pa sinjale rikthimi/ Kantautori i njohur vijon shkëputjen nga muzika dhe jeta publike
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Flori Mumajesi, një nga kantautorët më të suksesshëm të muzikës shqiptare, vazhdon të mbetet larg skenës dhe jetës publike. Prej disa vitesh, artisti është distancuar si nga muzika ashtu edhe nga miqtë e tij më të afërt, ndërsa fansat presin ende një rikthim të shumëpërfolur.
Kohët e fundit, është përfolur se Mumajesi po përgatitej për një koncert recital dhe publikimin e disa këngëve të reja, por deri tani nuk ka dhënë asnjë sinjal se projekti do të realizohet.
Burime nga rrethi i tij artistik kanë treguar se këngët janë gati dhe një pjesë e tyre janë ribërje të hiteve të njohura si “Pa jetë”. Megjithatë, vendimi për t’u rikthyer në skenë duket se mbetet i pasigurt, pasi vetë Flori nuk ka konfirmuar asnjë datë apo plan konkret.
Ai prej disa vitesh jeton në Kosovë, ku ka zgjedhur të mbajë një profil të ulët, larg ekspozimit mediatik dhe ritmit të tregut muzikor.
Në një intervistë të fundit, këngëtarja Çiljeta Xhilaga ka përmendur distancimin e Mumajesit, duke treguar se i ka shkruar për një bashkëpunim të mundshëm, por nuk ka marrë përgjigje. Me humor, ajo tha se “do të rikthehet në muzikë vetëm nëse kthehet edhe Flori”, duke reflektuar ndikimin që kantautori ka pasur tek artistët e brezit të saj.
Pavarësisht heshtjes së gjatë, pritshmëritë për rikthimin e Flor Mumajesit mbeten të larta.
Ai është konsideruar prej kohësh si një nga emrat më krijues dhe më ndikues në muzikën moderne shqiptare, dhe mungesa e tij ka lënë një boshllëk të dukshëm në skenën muzikore. Fansat dhe kolegët shpresojnë që heshtja e tij të shndërrohet së shpejti në një rikthim të shumëpritur./ Oranews
“KORÇA BOOM”




















