“Gjobë dhe 1 vit burg”, eksperti rrugor flet për ashpërsimin e Kodit Penal
- Korca Boom
- 4 hours ago
- 1 min read
Ndryshimet e fundit në Kodin Rrugor, që e kthejnë parkimin dysh nga kundërvajtje administrative në kundërvajtje penale, kanë ngjallur debat të gjerë publik. Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini, në një intervistë për emisionin “Dita Jonë”, sqaroi se jo çdo parkim i gabuar do të ndëshkohet me burg.
“Jo çdo lloj parkimi do të trajtohet si kundërvajtje penale. Kjo masë vlen vetëm për rastet kur parkimi bllokon seriozisht qarkullimin dhe pengon lëvizjen e mjeteve të emergjencës, si ambulancat, zjarrfikëset dhe policia,” – theksoi Qibini.
Sipas tij, parkimet e përkohshme për hipje-zbritje pasagjerësh, ngarkim apo shkarkim bagazhesh, të shoqëruara me praninë e drejtuesit të mjetit, do të vijojnë të trajtohen si kundërvajtje administrative me gjobë nga 1.000 deri në 3.000 lekë. Ndërsa kundërvajtja penale kur drejtuesi parkon dysh e cila pengon qarkullimin e mjeteve të tjera, do të ndëshkohet me burg deri në 1 vit.
Eksperti nënvizoi se masa e re synon rritjen e sigurisë rrugore dhe disiplinimin e drejtuesve të papërgjegjshëm. “Ky ndryshim pritet të ketë impakt pozitiv, por gjithçka varet nga mënyra se si do të zbatohet ligji,” – tha ai.
Qibini shtoi se në vendet e BE-së, parkimi i gabuar ndëshkohet kryesisht me gjoba, por Shqipëria ka zgjedhur një qasje më të ashpër për të frenuar shkeljet e rrezikshme dhe për të garantuar qarkullim të lirë, sidomos në raste emergjence. (A2 Televizion)
“KORÇA BOOM”



















