"Goditje për gruan, kundërshtim për policinë – Zbulohet dhe lokal me lojëra të fshehta"
- Korca Boom
- 2 days ago
- 1 min read
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të dhunës në familje, u arrestua në flagrancë shtetasi M. K., 44 vjeç, banues në Korçë. Ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është pajisur menjëherë me urdhër mbrojtjeje nga autoritetet përkatëse.
Gjatë shoqërimit në ambientet e Komisariatit të Policisë, M. K. ka kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë, duke penguar veprimet e tyre në ushtrimin e detyrës. Në lidhje me këtë rast, po kryhen veprimet procedurale të mëtejshme nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.
Procedim penal ndaj 50-vjeçarit për posedim pajisjesh të paligjshme për lojëra fati
Gjithashtu, gjatë një kontrolli të ushtruar në ambientet e një lokali në lagjen nr. 9 të qytetit të Korçës, që administrohej nga shtetasi E. T., 50 vjeç, u konstatuan dhe u sekuestruan disa pajisje elektronike të dyshuara si të përdorura për ushtrimin e veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Në vijim, materialet hetimore janë referuar në Prokurori dhe është nisur procedimi penal ndaj shtetasit E. T., për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Policia e Korçës siguron qytetarët se do të vijojë punën intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, si dhe fton këdo që ka dijeni për shkelje të ligjit të denoncojë përmes numrit 112 ose aplikacionit “Komisariati Dixhital”, duke garantuar anonimatin dhe reagimin e menjëhershëm.
“KORÇA BOOM”
