Gripi në rritje, ja shenjat e para që nuk duhen neglizhuar
- Korca Boom
- 8 hours ago
- 2 min read
Gripi po përhapet me shpejtësi gjatë kësaj periudhe, duke shkaktuar shqetësim te autoritetet shëndetësore dhe familjet, veçanërisht për shkak të rritjes së rasteve te fëmijët. Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), më shumë se gjysma e institucioneve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara kanë raportuar aktivitet të lartë të gripit, ndërsa pritet që numri i të prekurve të rritet edhe më tej në javët në vijim.
Gripi mund të prekë këdo, pavarësisht moshës apo gjendjes shëndetësore, dhe në disa raste mund të shkaktojë komplikime serioze, edhe te persona që konsiderohen të shëndetshëm. Siç thekson edhe Huffington Post, ndonëse masat parandaluese si larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i maskave dhe vaksinimi ndihmojnë, virusi përhapet lehtësisht.
Simptomat e gripit zakonisht shfaqen papritur dhe janë më të forta se ato të një ftohjeje të zakonshme. Shenjat më të shpeshta përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje koke, dhimbje të trupit dhe ethe. Shpesh shoqërohen edhe me kollë, dhimbje fyti dhe rrjedhje hundësh.
Te fëmijët, gripi mund të shfaqet edhe me simptoma nga sistemi tretës, si dhimbje barku, të përziera, të vjella apo mungesë oreksi. Ndryshe nga ftohja, gripi “godet” shpejt dhe fort, dhe shumë persona mund të tregojnë saktësisht momentin kur kanë nisur simptomat.
Nëse dyshoni se keni grip, rekomandohet të kontaktoni mjekun sa më shpejt. Disa trajtime janë më efektive në 48 orët e para, veçanërisht për personat që bëjnë pjesë në grupet me rrezik të lartë. Në rast se temperatura ulet dhe më pas rritet sërish, ose nëse shfaqen shenja dehidratimi, kërkimi i ndihmës mjekësore është i domosdoshëm.
Personat e prekur këshillohen të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur përhapjen e virusit, të pinë sa më shumë lëngje dhe të përdorin ilaçe për uljen e temperaturës dhe dhimbjeve.
Për fëmijët mbi një vjeç, mjalti mund të ndihmojë në qetësimin e kollës.
Vaksina kundër gripit mbetet një nga mënyrat më efektive për të ulur rrezikun e formave të rënda të sëmundjes dhe shtrimit në spital, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit.
"KORCA BOOM"



















