top of page

Trishtim, ndahet nga jeta figura e dashur e mjekësisë shqiptare

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Një lajm i hidhur ka prekur komunitetin mjekësor dhe mijëra familje shqiptare. Është ndarë nga jeta mjeku i njohur neonatolog, Edi Tushe, një prej figurave më të respektuara të mjekësisë shqiptare dhe një nga pionierët e shërbimit neonatologjik në vend.


Për dekada me radhë, Dr. Tushe ka qenë pranë brezave të tërë të fëmijëve dhe prindërve shqiptarë, duke u kthyer në një emër të dashur dhe të besuar për kujdesin ndaj të porsalindurve. Me profesionalizmin, përkushtimin dhe humanizmin e tij, ai fitoi respektin e kolegëve dhe mirënjohjen e mijëra familjeve.


Përveç kontributit të tij si mjek pediatër dhe neonatolog, ai luajti një rol të rëndësishëm në themelimin dhe zhvillimin e shërbimit neonatologjik në Shqipëri. Gjithashtu, ai dha një ndihmë të vyer në formimin e brezave të rinj të mjekëve, duke shërbyer si pedagog dhe duke përcjellë përvojën e tij profesionale ndër vite.


Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë publik nga një mik dhe koleg i afërt, i cili përmes një mesazhi prekës e kujtoi si një njeri të rrallë, një mik të dashur dhe një profesionist të jashtëzakonshëm që ia kushtoi jetën kujdesit për fëmijët.


“Ka ikje që të lënë pa frymë. Ka humbje që nuk pranohen dot. Dhe ka njerëz që janë aq të mirë, aq të dashur, aq të pazëvendësueshëm, sa duket e padrejtë që Zoti t’i thërrasë kaq herët pranë vetes. Edi ishte njëri prej tyre.


Nuk po qaj vetëm një koleg. Nuk po qaj vetëm një mjek të shkëlqyer. Po qaj një mik të shtrenjtë, një njeri të rrallë, një shpirt të bukur që e bënte botën më të mirë vetëm me praninë e tij.


Sa herë e shihja në klinikë, më dukej sikur gjithçka bëhej më e lehtë. Kishte atë qetësinë e njerëzve të mirë, atë buzëqeshjen e butë që të jepte siguri, atë mirësinë që nuk kishte nevojë të fliste me zë të lartë për t’u ndjerë.


Sot tavolina e tij mbeti bosh. Stetoskopi heshti. Dera nuk do të hapet më për të pritur fëmijët që e donin aq shumë”, shkruan kolegu i tij.

“KORÇA BOOM”


bottom of page