Grup i dyshuar kriminal zbulohet përmes aplikacionit të enkriptuar SkyECC
- Korca Boom
- Sep 24, 2025
- 1 min read
Autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë arrestuar shtatë persona gjatë një operacioni të zhvilluar më 24 shtator në rajonin e Prishtinës dhe Pejës.
Policia dhe Prokuroria Speciale e Kosovës thanë se të arrestuarit dyshohen për përfshirje në vepra të ndryshme penale, si pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, si dhe pastrim parash.
Operacioni, i koduar “Qielli i Thyer”, u realizua në 25 lokacione të ndryshme, sipas informatave të dhëna nga Radio Evropa e Lirë.
Sipas njoftimit, të pandehurit dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar SkyECC për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale.
Gjatë këtij operacioni, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme provash materiale, përfshirë rreth 700 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kokainë, para të gatshme në vlerë prej mbi 11 mijë eurosh, 34 automjete, shtatë armë zjarri, dokumente personale me identitet të rremë dhe pajisje të ndryshme elektronike.
Për realizimin e këtij operacioni, autoritetet kosovare bashkëpunuan me homologët ndërkombëtarë nga Belgjika, Franca, Holanda, si dhe me Europol-in.
“KORÇA BOOM”



















