Gëzuar ditëlindjen Mjeshtrit të Sportit, Nderit të Sportit dhe Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Koço Dinella!
- 6 hours ago
- 2 min read
Zot i portës, gëzuar 79-vjetorin Koço Dinella, legjenda shqiptare e futbollit!
Koço Dinella lindi në Korçë më 23 prill 1947. Hapat e parë në sport i hodhi që në fëmijëri, duke luajtur me ekipet e shkollës dhe të pionierit, për të vijuar më pas me të rinjtë e Skënderbeut.
Në vitet 1962–1965 spikati si portier me ekipin “Shpresa”, ku talenti i tij u vu re nga trajneri i njohur Loro Boriçi, i cili e aktivizoi në moshë të re në ekipin përfaqësues të Shqipërisë.
Gjatë karrierës së tij u përball me ekipe dhe lojtarë të nivelit të lartë ndërkombëtar, duke fituar përvojë të vyer në ndeshje si Shqipëri–Jugosllavi në Egjipt dhe përballje me Republikën Federale Gjermane.
Në korrik 1966 mori pjesë në një turne në Kinë me ekipin “Shpresa”, ndërsa në vitet 1966–1969 luajti si titullar me Dinamon.
Më 17 dhjetor 1967 debutoi si portier i kombëtares shqiptare kundër Gjermanisë Perëndimore, ku u vlerësua nga trajneri Helmut Schön si: “Portieri elegant shqiptar dhe zot i portës së vet.”
Në vitin 1970 luajti me ekipin “17 Nëntori” në një ndeshje kundër Ajax-it në Amsterdam.
Për 10 vite me radhë ishte pjesë e Skënderbeut, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në futbollin korçar.
Për kontributin dhe figurën e tij të çmuar, Këshilli i Qarkut i akordoi Koço Dinellës titullin “Nder i Qarkut”, me motivacionin:
“Model i sportistit të talentuar dhe qytetarit shembullor, figurë e shquar e futbollit korçar të shekullit XX, frymëzues i brezave me dashurinë për sportin dhe mjeshtërinë e tij futbollistike.”
Gjithashtu, ai është vlerësuar me tituj të tjerë të rëndësishëm si: Mjeshtër Sporti, Nder i Sportit Shqiptar, Mjeshtër i Merituar i Sportit, si dhe me medalje pune dhe vlerësime të tjera.
“KORÇA BOOM”

















