top of page

HPV nuk prek vetëm vajzat, djemtë 13-vjeçarë futen në vaksinimin e detyrueshëm

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 12 hours ago
  • 1 min read

Duke nisur nga 1 janari i këtij viti, kalendari kombëtar i vaksinimit ka pësuar ndryshime të rëndësishme, duke përfshirë për herë të parë edhe djemtë 13-vjeçarë në vaksinimin e detyrueshëm kundër virusit Human Papilloma (HPV). Deri më tani, kjo vaksinë aplikohej vetëm tek vajzat, si masë parandaluese ndaj kancerit të qafës së mitrës.


Sipas Institutit të Shëndetit Publik, përfshirja e djemve në këtë program përbën një hap të rëndësishëm në parandalimin e përhapjes së virusit, pasi ata mund të jenë bartës dhe transmetues të HPV-së. Vaksinimi në këtë moshë rrit ndjeshëm efektivitetin e mbrojtjes dhe ndihmon në uljen afatgjatë të sëmundjeve të lidhura me këtë virus.


Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2026 janë 18.661 djem që mbushin moshën 13 vjeç dhe tashmë përfshihen në skemën e detyrueshme të vaksinimit. Ndërkohë, në vitet e fundit janë vaksinuar rreth 46 mijë vajza në të gjithë vendin.


Autoritetet shëndetësore theksojnë se zgjerimi i vaksinimit synon jo vetëm mbrojtjen individuale, por edhe rritjen e imunitetit në popullatë, duke ulur qarkullimin e virusit dhe rrezikun e sëmundjeve të lidhura me të në të ardhmen.

"KORCA BOOM"


bottom of page