Humbje e madhe për politikën , ndahet nga jeta ish-kryeparlamentari
- Korca Boom
- Jan 1
- 1 min read
Është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-kryeparlamentari i Kosovës, Nexhat Daci. Lajmin e bëri të ditur kryetari në detyrë i Kuvendit, Dimal Basha. Gjatë karrierës së tij politike, Daci ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si dhe detyrën e Presidentit në detyrë pas vdekjes së Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 2006.
Ai ishte gjithashtu themelues i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe mbeti aktiv në jetën politike të vendit edhe pas përfundimit të mandatit të tij si kryeparlamentar. Nexhat Daci lindi në vitin 1944 në Tërnoc të Bujanocit.
Përpara angazhimit politik, Daci ishte kimist dhe profesor universiteti. Ai kreu shkollimin fillor dhe të mesëm në vendlindje dhe në Leskovc (1960). Studimet për kimi i përfundoi në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku më pas mbaroi edhe studimet pasuniversitare (1968). Një kurs pasuniversitar e ndoqi në Liezh, Belgjikë, në vitin 1970.
Gjatë gjithë jetës së tij, Nexhat Daci kombinoi angazhimin politik me atë akademik, duke lënë një gjurmë të rëndësishme në jetën publike dhe arsimore të Kosovës.
"KORCA BOOM"



















