I shtypur nga makina e mbetjeve, humb jetën
- Korca Boom
- 6 hours ago
- 1 min read
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Itali, ku një shtetas shqiptar ka humbur jetën në vendin e punës, pasi është shtypur nga një makineri për përpunimin e mbetjeve.
Viktima është identifikuar si Zevxhet Halili, 59 vjeç, banues në bashkinë Ospedaletto Euganeo. Aksidenti fatal ka ndodhur në ambientet e kompanisë “Sesa”, një kompani e shërbimeve mjedisore në zonën e Este-s.
Sipas mediave italiane, rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Nuk dihet nëse aksidenti është shkaktuar nga një pakujdesi, një problem shëndetësor i viktimës apo një defekt teknik i makinerisë ku ai po punonte. Hetimet janë në vijim për të zbardhur shkaqet e sakta të ngjarjes.
Nga rikonstruksioni paraprak i kryer nga karabinierët e stacionit të Este-s dhe teknikët e Spisal, rezulton se Halili ishte punonjës i rregullt i kompanisë “Sesa”. Ai dyshohet se u shtyp brenda një makinerie shtypëse gjatë kryerjes së disa punimeve të mirëmbajtjes.
Ky është aksidenti i dytë fatal në vendin e punës që nga fillimi i vitit në provincën e Padovës, duke rikthyer në vëmendje shqetësimin për sigurinë në ambientet industriale.
Autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të sqaruar plotësisht dinamikën e këtij aksidenti tragjik.
"KORCA BOOM"



















