top of page

Ilaç i ri kundër kancerit jep shpresë, tumoret zvogëlohen deri në 30%

  • Jun 2
  • 1 min read

Një ilaç i ri eksperimental, i përshkruar si një “pilulë inteligjente”, ka treguar rezultate premtuese në trajtimin e disa prej formave më të zakonshme të kancerit, duke arritur të zvogëlojë tumoret me të paktën 30 për qind te një pjesë e pacientëve.


Sipas rezultateve të një studimi të hershëm klinik, ilaçi GRWD5769 ndihmon sistemin imunitar të identifikojë dhe të sulmojë qelizat kancerogjene, të cilat më parë arrinin t’i shpëtonin trajtimeve ekzistuese.


Studimi është zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Spanjë dhe Australi dhe ka përfshirë 83 pacientë me lloje të ndryshme kanceri, përfshirë kancerin e qafës së mitrës, fshikëzës urinare, mëlçisë, zorrës së trashë, mushkërive, si dhe kancer të kokës dhe qafës.


Të gjithë pjesëmarrësit kishin provuar më parë trajtime të ndryshme pa sukses dhe nuk kishin shumë alternativa të tjera terapeutike.


Pacientëve iu administrua GRWD5769 në kombinim me imunoterapinë cemiplimab. Rezultatet treguan se tumoret u zvogëluan te 26 pacientë, ndërsa 15 prej tyre patën tkurrje prej të paktën 30 për qind.


Sipas studiuesve, ilaçi vepron duke bllokuar një enzimë të quajtur ERAP1, të cilën qelizat kancerogjene e përdorin për t’iu shmangur sistemit imunitar. Duke e frenuar këtë mekanizëm, qelizat tumorale bëhen më të dukshme për qelizat T, të cilat luftojnë sëmundjet në organizëm.


Gjithashtu, të dhënat tregojnë se përparimi i sëmundjes u ndal për të paktën gjashtë muaj te një pjesë e pacientëve, me përqindje të ndryshme suksesi sipas llojit të kancerit.


Rezultatet janë prezantuar në një konferencë ndërkombëtare të onkologjisë klinike, ku studiuesit theksuan se megjithëse bëhet fjalë për faza të hershme, të dhënat janë inkurajuese për zhvillimin e trajtimeve të ardhshme kundër kancerit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page