top of page

Virozat e verës, më të ekspozuar fëmijët 1-4 vjeç/ Lama: Mos prisni që simptomat të rëndohen, kërkoni kontroll në kohë

  • Jul 18
  • 1 min read

Rastet me viroza tek fëmijët vijojnë të shfaqen edhe gjatë stinës së verës. Temperaturat e larta dhe ndryshimet e shpeshta në ambient ndikojnë në shtimin e infeksioneve sezonale, ndërsa mjekët pediatër u bëjnë apel prindërve të tregojnë kujdes dhe të mos neglizhojnë shenjat e para.


Temperatura, diarreja dhe të vjellat janë ndër simptomat më të zakonshme që po paraqiten tek fëmijët gjatë kësaj periudhe. Sipas pediatrit Albert Lama, situata aktualisht nuk paraqitet problematike, por kërkohet vëmendje e shtuar ndaj gjendjes së përgjithshme të fëmijëve.


Sipas mjekut, grupi më i ekspozuar ndaj virozave të verës janë fëmijët nga mosha 1 deri në 4 vjeç, të cilët janë më të ndjeshëm ndaj humbjes së lëngjeve dhe komplikacioneve nga temperaturat e larta.


Lama këshillon prindërit që të kujdesen për hidratimin e fëmijëve, të ruajnë higjienën dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore në rastet kur simptomat përkeqësohen apo gjendja e fëmijës ndryshon nga normalja.


Mjekët theksojnë se ndërhyrja në kohë ndihmon në shmangien e komplikacioneve dhe në një rikuperim më të shpejtë të të vegjëlve gjatë muajve të verës./ Oranews

“KORÇA BOOM”


bottom of page