“Irvin Bode futet në garë për PD Korçë: ‘Pa rregulla, nuk jemi parti’
- 2 hours ago
- 2 min read
Të nderuar miq dhe anëtarë të PD Korçë!
Sot jam zyrtarisht kandidat për kryetar të kësaj dege. E mora këtë vendim me një bindje të palëkundur: forca e një partie matet jo vetëm me vota, por edhe me seriozitetin e “shtëpisë” së saj.
Rrugëtimi i kësaj dege është i gjatë dhe jam plotësisht i vetëdijshëm se historia nuk fillon këtu, me ne. Jemi trashëgimtarë të një rruge që meriton respekt, por që sot kërkon një drejtim të qartë.
Në këtë proces besoj se nuk ka fitues apo humbës, por vetëm njerëz të nevojshëm dhe të dobishëm. Megjithatë, dobia e secilit varet nga gatishmëria për t’u bërë pjesë e një grupi që funksionon me rregulla.
Nuk mund të kërkojmë besimin e qytetarëve nëse nuk respektojmë rregullat tona të brendshme. Respektimi i statutit dhe kodit të etikës janë shtylla. Pa to, ne nuk jemi një forcë politike, por një grumbull individësh pa busull.
Do të jem gjithmonë mbrojtës i fjalës së lirë, por duhet të jemi të qartë: nuk mund të ketë anarki të maskuar si liri shprehjeje. Debati na rrit, por kaosi na dëmton.
Kjo garë e brendshme nuk duhet parë si luftë. Ethet e saj nuk duhet të justifikojnë “goditjet e ulëta”. Më e rëndësishmja në këtë proces është korrektesa dhe etika.
Nuk kemi pse t’u japim kundërshtarëve asnjë arsye për të përfituar nga përçarjet tona. Disiplina dhe serioziteti nuk janë kufizime, por tregues të përgjegjshmërisë dhe vlerësimit të misionit që kemi ndërmarrë.
Do të kërkoj votën tuaj për të drejtuar një degë ku secili ka vendin e tij, ku respektohen vlerat dhe ku liria shërben për të na forcuar, jo për të ushqyer ego personale.
Me besim në Zot dhe në vetvete, ne do të dalim fitues, këtë e kam bindje!
“KORÇA BOOM”
















