Ish-basketbollistja që shkroi historinë në Korçë, Zamira Kacori feston ditëlindjen
Sot, në përvjetorin e lindjes së saj, kujtojmë dhe vlerësojmë jetën dhe kontributin e një gruaje të veçantë të Korçës, e cila ka shkëlqyer në dy fusha të ndryshme, por që kërkojnë të njëjtat vlera: disiplinë, përkushtim, forcë dhe këmbëngulje.
E lindur në Korçë, Zamira Kacori nisi rrugëtimin e saj arsimor në shkollën “Mësonjëtoria”, për të vijuar më pas studimet në Shkollën e Infermierisë, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera. Më tej, ajo kreu edhe studimet e larta për Infermieri, sërish me rezultate të shkëlqyera.
Për vite me radhë, Zamira iu përkushtua profesionit të saj në fushën e mjekësisë, duke u dalluar për përgatitjen e lartë profesionale, korrektësinë dhe përkujdesjen ndaj njerëzve.
Por krahas profesionit, emri i saj do të bëhej pjesë edhe e historisë së sportit korçar dhe atij shqiptar.
Që në moshë të re, Zamira u dallua në atletikë, ku mori pjesë në garat e vrapimit dhe u shpall disa herë kampione nën drejtimin e trajnerit të mirënjohur Piro Kasati.
Në vitin 1973 nisi një tjetër kapitull i rëndësishëm i jetës së saj sportive: basketbolli.
Fillimisht me ekipin e të rejave dhe më pas me ekipin e të rriturave, nën drejtimin e trajnerëve Mondi Dushku dhe Pandi Balli, Zamira u shndërrua në një nga lojtaret më të spikatura të basketbollit korçar.
Në vitin 1979 u shpall kampione me ekipin e të rriturave dhe më pas ishte pjesë e skuadrës që fitoi tri kupa radhazi. Ajo ishte një nga lojtaret kryesore të ekipit, me kontribut të rëndësishëm në shënimin e pikëve dhe në lojën nën tabelë.
Një tjetër moment i veçantë në karrierën e saj është fakti se Zamira Kacori vlerësohet si lojtarja e parë femër në Shqipëri që realizoi gjuajtjen me kërcim, një element teknik që në atë periudhë përbënte risi në basketbollin e femrave.
Ajo u grumbullua në shumë raste me Ekipin Kombëtar të Shqipërisë, duke përfaqësuar vendin edhe në ndeshje ndërkombëtare.
Në vitin 1986, Zamira u largua nga basketbolli, duke lënë pas një karrierë të pasur sportive dhe një emër të respektuar në historinë e këtij sporti.
Për kontributin e saj, Federata Shqiptare e Basketbollit i akordoi titullin “Mjeshtre Sporti”, ndërsa Klubi Sportiv “Skënderbeu” e ka nderuar me disa dekorime.
Sot, në ditën e saj të lindjes, urimet shkojnë për Zamira Kacorin, një nga emrat që i dha vlerë basketbollit të femrave në Korçë dhe Shqipëri.
Gëzuar ditëlindjen, Zamira Kacori!
“KORÇA BOOM”
















