Ish-ministrja socialiste thyen heshtjen: Kur vendi është në krizë, urtësia të marrë fjalën!
Ish-ministrja socialiste Ermelinda Meksi ka reaguar për situatën politike në vend dhe protestat e fundit, duke bërë thirrje për përgjegjësi politike, dialog dhe një zgjidhje që të ndihmojë në kapërcimin e krizës.
Në një reagim publik, Meksi thekson se pakënaqësia qytetare nuk mund të injorohet, ndërsa kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama duhet të trajtohet me seriozitet dhe në respekt të procedurave demokratike.
“Kur vendi është në krizë, urtësia të marrë fjalën!”, shkruan ish-ministrja, duke nënvizuar se në momente të vështira politike, deklaratat e zakonshme nuk mjaftojnë dhe nevojitet guxim për t’u përballur me realitetin.
Duke iu referuar përvojës së saj shumëvjeçare në politikë dhe angazhimit në OSBE, Meksi shprehet se stabiliteti i qëndrueshëm nuk arrihet duke heshtur pakënaqësinë, por duke trajtuar shkaqet që e kanë krijuar atë.
Sipas saj, kur besimi te qeverisja është tronditur dhe zemërimi qytetar është i dukshëm, drejtuesit politikë duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të kërkojnë rrugëdalje që i shërbejnë interesit të vendit.
Një pjesë të rëndësishme të reagimit, ish-ministrja ia kushton edhe funksionimit të forumeve politike, duke theksuar se ato duhet të krijojnë hapësirë për debat të hapur, reflektim dhe vendimmarrje kolektive. Ajo kërkon që zërat kritikë të dëgjohen dhe situata të vlerësohet pa paragjykime.
“Kërkesa për largimin e Kryeministrit nuk mund të shpërfillet dhe as të bëhet shkak për përplasje të mëtejshme. Ajo duhet të trajtohet me përgjegjësi politike, në respekt të vullnetit qytetar dhe të procedurave demokratike”, shprehet Meksi.
Në fund, ajo u bën thirrje drejtuesve politikë, deputetëve, forumeve politike, intelektualëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që të marrin përgjegjësinë që kërkon momenti.
Meksi kërkon hapjen e një procesi të vërtetë konsultimi dhe dialogu, ku të dëgjohen shqetësimet e qytetarëve, veçanërisht të studentëve, dhe të shqyrtohen mundësitë për kapërcimin e krizës politike.
“KORÇA BOOM”
















