Kur do të mbahen zgjedhjet për bashkitë? Balla flet edhe për uljen e numrit të deputetëve
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i ka bërë thirrje Partisë Demokratike të votojë ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Në një deklaratë për mediat këtë të martë, Balla tha se nuk e kishte kuptuar qëndrimin e demokratëve në Konferencën e Kryetarëve dhe shpresoi që ata të reflektojnë për t'u bërë pjesë e diskutimeve.
Sipas tij, debati nuk duhet të kufizohet vetëm te numri i bashkive, por duhet të përqendrohet edhe te kompetencat që do t’i transferohen pushtetit vendor, fondet për bashkitë dhe krijimi i rajoneve.
“Unë jam i bindur se Territorialja është në përputhje me Kushtetutën. PD çdo çështje e çon në Kushtetuese”, u shpreh Balla.
Gjatë deklaratës, ai bëri të ditur gjithashtu se presidenti Bajram Begaj pritet të dekretojë javën e ardhshme datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Sipas Ballës, data do të caktohet brenda periudhës 15 prill–15 maj.
Një tjetër çështje e ngritur prej tij ishte propozimi për reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 120. Balla ftoi PD-në të diskutojë ndryshimet kushtetuese, duke deklaruar se socialistët janë të hapur edhe për bisedime lidhur me krijimin e rajoneve.
“KORÇA BOOM”
















