Sulm i papritur ndaj ish-drejtorit, autorët e q*llojnë me l*vë dhe largohen me Audi Q5
Ish-drejtuesi i repartit zjarrfikës në Mallakastër, Armand Aliaj, është sulmuar fizikisht mëngjesin e kësaj të marte në Ballsh, nga disa persona të maskuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:00, kur Aliaj ndodhej i vetëm në lokalin e tij. Sipas dëshmisë së tij, ai sapo kishte përgatitur kafen, kur autorët e kanë goditur nga pas me levë, pa i drejtuar asnjë fjalë. Pas sulmit, ata janë larguar me një automjet tip “Audi Q5”.
I dëmtuari ka shkuar vetë në spitalin e Ballshit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Ai ka pësuar dëmtime në ballë, duar dhe shpatull, ndërsa plaga në ballë ka kërkuar qepje. Më pas, është transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit për ekzaminime të mëtejshme. Gjendja e tij shëndetësore raportohet e qëndrueshme.
Në dëshminë e dhënë, Aliaj ka deklaruar se nuk ka konflikte me askënd. Deri më tani, motivi i sulmit mbetet i paqartë, ndërsa hetimet pritet të zbardhin rrethanat e ngjarjes dhe të identifikojnë autorët.
“KORÇA BOOM”
















