top of page

Ja çfarë referon policia në Korçë mbi ngjarjet e fundit

  • 3 hours ago
  • 1 min read

Policia e Korçës ka finalizuar disa procedime dhe një arrestim në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve të zhvilluara në territor.


Shërbimet e Mbështetjes Operacionale të Hetimit në DVP Korçë kanë kapur shtetasin N. Q., 44 vjeç, banues në fshatin Mborje, i shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë. Ai dyshohet se, në bashkëpunim me të tjerë dhe kundrejt pagesës, ka ndihmuar për kalimin e paligjshëm të kufirit të 5 emigrantëve, të cilët janë ndaluar nga policia më datë 14.03.2026 në fshatin Polenë.


Pas veprimeve procedurale, ndaj tij do të vijojë hetimi në gjendje të lirë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.


Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal për shtetasin L. L., 34 vjeç, banues në Pogradec. Ky shtetas është ndaluar në aksin rrugor “Pogradec–Korçë”, pranë fshatit Vashtëmi në Maliq, teksa transportonte me automjet një sasi nafte të dyshuar si të kontrabanduar nga Maqedonia e Veriut. Mjeti dhe sasia e naftës janë sekuestruar si prova materiale.


Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasin S. F., 33 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar për prishje të qetësisë publike.


Në një tjetër rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq kanë referuar materialet në Prokurori për shtetasin Sh. B., 59 vjeç, banues në fshatin Kakaç, i dyshuar se ka dëmtuar murin e një magazine në pronësi të shtetasit A. F.


Autoritetet vijojnë punën për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve dhe zbardhjen e rrethanave përkatëse.

“KORÇA BOOM”


bottom of page