Jo më kabllo në ajër, ligji i ri që ndryshon pamjen e qyteteve shqiptare
- 22 hours ago
- 1 min read
Vendosja kaotike e kabllove të internetit në ajër dhe në fasadat e pallateve, një fenomen i përhapur në qytetet shqiptare, duket se po shkon drejt fundit. Përveç pamjes së çrregullt që krijojnë, këto kabllo përbëjnë edhe rrezik për sigurinë publike.
Një nga ndryshimet kryesore është detyrimi që çdo ndërtim i ri, si dhe çdo godinë që i nënshtrohet rikonstruksionit të thellë, të pajiset me infrastrukturë të brendshme për fibër optike. Kjo nënkupton që rrjetet e internetit nuk do të vendosen më në mënyrë të jashtme dhe të çrregullt, por do të integrohen brenda ndërtesave që në fazën e ndërtimit.
. Me rregullat e reja, çdo operator do të ketë të drejtë të ofrojë shërbimet e tij në një godinë, përmes një “pike aksesi” të përbashkët. Kjo do të rrisë konkurrencën dhe do t’u japë qytetarëve më shumë mundësi zgjedhjeje.
Një tjetër risi është krijimi i një sistemi të përqendruar informacioni, që do të menaxhohet nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Ky sistem do të mundësojë koordinimin mes operatorëve dhe institucioneve për përdorimin e përbashkët të infrastrukturës ekzistuese, si rrugët, ujësjellësit dhe rrjetet energjetike.
Për shembull, nëse një rrugë hapet për punime, operatorët e telekomunikacionit do të kenë mundësi të vendosin njëkohësisht tubacionet për fibër optike, duke ulur kostot dhe shmangur ndërhyrjet e përsëritura.
Drafti është aktualisht i hapur për konsultim publik për një periudhë 20-ditore. Nëse miratohet, ai pritet të shënojë një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës digjitale në Shqipëri, duke e trajtuar internetin si një shërbim bazë, njësoj si uji dhe energjia elektrike.
“KORÇA BOOM”
















