Kafshimi nga gjarpri mund të jetë fatal, ja çfarë duhet të bëni në minutat e para
- 3 days ago
- 2 min read
Me ardhjen e sezonit të verës dhe shtimin e shëtitjeve në male, pyje dhe zona rurale, rritet edhe mundësia e përballjes me gjarpërinjtë. Edhe pse pjesa më e madhe e specieve janë të padëmshme, në vendin tonë gjenden edhe gjarpërinj helmues, si nepërka, kafshimi i së cilës kërkon ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Mjekët dhe ekspertët e emergjencave këshillojnë që, në rast kafshimi, gjëja më e rëndësishme është të ruani qetësinë. Paniku dhe lëvizjet e shumta mund të përshpejtojnë përhapjen e helmit në organizëm.
Shenjat e para që shfaqen pas kafshimit janë zakonisht dhimbja në vendin e plagës, ënjtja që shtohet gradualisht dhe skuqja e zonës së prekur. Në rastet kur kafshimi është shkaktuar nga një gjarpër helmues, simptomat mund të përkeqësohen me kalimin e kohës, duke përfshirë marramendje, të përziera, vështirësi në frymëmarrje dhe dobësi të përgjithshme.
Ekspertët rekomandojnë që personi i kafshuar të largohet menjëherë nga zona ku ndodhet gjarpri, pa tentuar ta kapë ose ta vrasë atë, pasi kjo mund të sjellë një kafshim të dytë. Nëse është e mundur dhe pa u rrezikuar, mund të bëhet një fotografi e gjarprit nga distanca për të ndihmuar mjekët në identifikimin e tij.
Po ashtu, duhet të hiqen unazat, byzylykët, ora, këpucët ose çdo send që mund të shtrëngojë gjymtyrën në rast se ajo fryhet. Gjymtyra e kafshuar duhet të mbahet sa më e palëvizshme dhe në një nivel më të ulët se zemra, për të ngadalësuar përhapjen e helmit.
Më pas duhet të telefonohet menjëherë shërbimi i urgjencës ose personi të transportohet në spitalin më të afërt. Është e rëndësishme që ai të mos ecë nëse kjo mund të shmanget dhe të mos drejtojë automjetin.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për disa veprime që nuk duhet të kryhen në asnjë rast. Nuk duhet prerë apo çarë plaga, nuk duhet tentuar thithja e helmit me gojë, nuk duhet vendosur fashë shumë e shtrënguar mbi gjymtyrë dhe nuk rekomandohet aplikimi i akullit mbi plagë, pasi këto metoda mund ta përkeqësojnë gjendjen.
Ndërhyrja e shpejtë dhe trajtimi në kohë janë faktorët më të rëndësishëm për të shmangur komplikacionet. Për këtë arsye, gjatë shëtitjeve në natyrë këshillohet të përdoren këpucë të mbyllura, të shmangen zonat me bimësi të dendur pa kujdes dhe të tregohet vëmendje e veçantë, sidomos në ditët e nxehta të verës.
“KORÇA BOOM”














