top of page

Kategoria e Parë në ditë kritike, trajnerët largohen njëri pas tjetrit

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 2 min read

Situata në Kategorinë e Parë është tensionuar së fundmi, pasi brenda më pak se 24 orëve dy klube historike, Kukësi dhe Luftëtari, kanë mbetur pa trajnerë.

Devolli largohet nga Kukësi pas një aventure të shkurtër


Aventura e Bledar Devollit në stolin e Kukësit ka përfunduar shumë shpejt. Trajneri 47-vjeçar ka vendosur të japë dorëheqjen, pavarësisht se kishte marrë drejtimin e skuadrës me synimin për të ndryshuar ecurinë negative të rezultateve.


Kukësi, që këtë sezon ka ndërruar tre trajnerë, gjendet në një situatë të vështirë. Pas 12 javësh kampionat në Kategorinë e Parë, verilindorët renditen në vendin e fundit me vetëm 5 pikë, duke e bërë të vështirë objektivin e mbijetesës. Devolli nuk arriti të sillte kthesën e dëshiruar dhe zgjodhi të largohej përpara se situata të përkeqësohej më tej.

Luftëtari i jep fund bashkëpunimit me Shabanin


Ndërkohë, edhe Luftëtari i Gjirokastrës ka bërë një ndryshim të rëndësishëm në pankinë. Klubi njoftoi ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin Besmir Shabani, i cili për gati dy vite arriti ta ngjiste skuadrën nga Kategoria e Dytë në të Parën, duke realizuar një objektiv të rëndësishëm historik.


Pavarësisht këtij progresi, Luftëtari aktualisht ndodhet në një moment kritik. Skuadra gjirokastrite renditet e parafundit në tabelë me 10 pikë, dhe rreziku i rikthimit në zonën e ftohtë është i madh. Klubi ka vendosur të ndërhyjë duke kërkuar ndryshim në drejtim, me shpresën për t’i dhënë ekipit një impuls të ri.


Të dyja largimet, të ndodhura brenda 24 orëve, tregojnë qartë klimën e tensionuar në klubet respektive. Kauza e mbijetesës në Kategorinë e Parë po vështirësohet, ndërsa drejtuesit janë të detyruar të marrin vendime të shpejta në kërkim të rikthimit të besimit dhe rezultateve pozitive.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page